Buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2025 arrin në shifrat e 3.8 miliardë lekëve dhe është më i madhi në historinë e Shërbimit të Jashtëm dhe do të financojë një sërë iniciativash kyçe, duke përfshirë mbështetje të fortë për funksionimin e misioneve diplomatike dhe konsullore, si dhe angazhimin e vendit tonë në nismat rajonale dhe në programet e BE-së.
Ky buxhet gjithashtu do të mbështesë avancimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe përpjekjet për të forcuar diplomacinë ekonomike.
Investimet për vitin 2025 përfshijnë projekte inovative, si modernizimi i shërbimit konsullor online dhe sistemit E-Visa, që do të përmirësojnë shërbimet për qytetarët shqiptarë jashtë vendit.
Po ashtu, mbështetja për diasporën shqiptare është një prioritet i veçantë, me synimin për të forcuar lidhjet kulturore dhe ekonomike, si dhe për të mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Objektivat e politikës së jashtme të Shqipërisë për vitin 2025
Disa nga objektivat më të rëndësishëm të politikës së jashtme të Shqipërisë për vitin 2025 përfshijnë:
Avancimin e procesit të integrimit evropian dhe përgatitjen e vendit për anëtarësim deri në vitin 2030, duke forcuar angazhimin tonë në reformimin e institucioneve dhe proceseve.
Pjesëmarrjen aktive në nismat rajonale, si Procesi i Berlinit dhe Plani i Rritjes, si dhe programet e tjera të BE-së, për të siguruar integrimin gradual të rajonit në Bashkimin Evropian.
Ruajtjen e profilit të Shqipërisë në fushën e multilateralizmit dhe angazhimin proaktiv në organizatat ndërkombëtare, si anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së dhe në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s.
Thellimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, përfshirë SHBA-të, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, për të forcuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si siguria dhe zhvillimi ekonomik.
Forcimin e diplomacisë ekonomike, me fokus në rritjen e shkëmbimeve tregtare, promovimin e eksporteve dhe thithjen e investimeve të huaja për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit.
Rolin e diasporës shqiptare si një burim i çmuar për zhvillimin e vendit, duke mbështetur modernizimin e shërbimeve konsullore dhe forcimin e lidhjeve me komunitetet jashtë vendit.
Përmirësimin e shërbimeve për qytetarët përmes platformave dixhitale, duke ofruar ndihmë të menjëhershme dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve tanë jashtë vendit.
Mbështetje për Kosovën në procesin e njohjes ndërkombëtare dhe forcimin e kohezionit të faktorit shqiptar në rajon, duke promovuar një dialog konstruktiv dhe bashkëpunim të ngushtë.
Hapje e 4 ambasadave të reja
Gjithashtu, angazhimi i Shqipërisë për zgjerimin e rrjetit diplomatik do të vijojë, me hapjen e ambasadave të reja në Bosnjë-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia, si dhe konsullata në destinacione strategjike si Luginën e Preshevës, Toronto dhe Dublin.
Këto hapa do të ndihmojnë në forcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe do të kontribuojnë në realizimin e objektivave tona ambicioze për të ardhmen.
Buxheti 2025, rritje prej 635 milion lekësh krahasuar me vitin 2024
Për të realizuar këto objektiva ambiciozë, projekt-buxheti për Shërbimin e Jashtëm parashikon një rritje të konsiderueshme prej 635 milion lekësh krahasuar me vitin 2024, një shtesë prej 20% që tregon angazhimin tonë të palëkundur për të forcuar diplomacinë shqiptare.
Ky buxhet do të financojë një sërë iniciativash kyçe, të cilat përfshijnë:
Mbështetjen për misionet diplomatike dhe konsullore dhe hapjen e përfaqësive të reja dhe zhvillimin e aktiviteteve diplomatike në vlerën 2.7 miliardë lekë.
Organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve që lidhen me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe bashkëpunimin rajonal:, me fokus në rritjen e bashkëpunimit me vendet e BE-së dhe rajonin, që do të financohen me 150 milion lekë.
Angazhimin e Shqipërisë për të forcuar lidhjet me BE-në dhe pjesëmarrjen në organizatat ndërkombëtare që do të mbështetet me 60 milion lekë.
Angazhimin në organizatat ndërkombëtare ku përfshihet pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në forume shumëpalëshe dhe përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit, me një financim prej 230 milion lekë.
85 milionë lekë për modernizimin e shërbimeve konsullore
Buxheti 2025 parashikon mbështetje për diasporën shqiptare, ku në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2021-2025, do të investohen 85 milionë lekë për modernizimin e shërbimeve konsullore, regjistrimin e diasporës dhe krijimin e një rrjeti efektiv për profesionistët shqiptarë jashtë vendit.
Kjo do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve kulturore, ekonomike dhe sociale mes diasporës dhe Shqipërisë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
650 milionë lekë fond për mbështetjen e Shërbimit të Jashtëm
Për vitin 2025, investimet do të përfshijnë projekte inovative si:
Sistemi i Shërbimit Konsullor Online, i cili do të financohet me 115 milion lekë.
Modernizimi i sistemit E-Visa, me një kosto prej 107 milion lekësh.
Në tërësi, buxheti 2025, pavarësisht rritjes së konsiderueshme, nuk është fundi i procesit të investimeve në politikën e jashtme, është një proces i vazhdueshëm, dhe me një menaxhim të kujdesshëm, ky buxhet do të kontribuojë në avancimin e diplomacisë shqiptare dhe integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane, duke çuar vendin në një fazë të re zhvillimi.