Studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës kanë protestuar kundër vendimit të Gjykatës për ndërtimin e një shkolle në truallin e Universitetit e tyre.
Kjo pjesë e truallit të Universitetit ka qenë fidanishtja e Universitetit dhe me vendim gjykate i është dhënë pronarëve të tokës.
Jamarbër Malltezi pedagog në UBT ka folur për shpronësimin e këtij trualli dhe thotë që nuk janë njoftuar për këto zhvillime.
“Ky territor ka qenë fidanishtja e Universitetit , dje pamë disa eskavatorë dhe rrethim të vendit pa pasur asnjë njoftim. Menduam se policët erdhën për të ndaluar ndonjë ndërtim të paligjshëm.
Dëgjojmë në mënyrë informale se do bëhet një shkollë, po s’ka asnjë tabelë.
Në Master planin e Universitetit ky truall është fidanishtja e UBT, ne si pedagogë i mësojmë studentëve që nuk mund të ndërtohet pa Master Plan dhe kjo gjë po ndodh aktualisht me ndërtimin e shkollës.” thotë pedagogu Malltezi.
Më tej Malltezi thotë që dhe vetë kryetari i Bashkisë ka ardhur të mbjellë pemë në këtë truall dhe se janë të domosdoshme dy gjëra: Ruajtja e fidanishtes dhe zhvendosja e ndërtimit të shkollë 100 metra më tutje.
”Kjo prek në mënyrë direkte dhe indirekte të gjithë studentët dhe pedagogët. Studentët janë zëri më i rëndësishëm i kësaj proteste dhe ata bëjnë thirrje që nëse nuk merren masa për ta ndaluar këtë gjë do zhvillohet një protestë masive nga të gjithë studentët e UBT-së”, shton më tej pedagogu.
“Jemi kundër kësaj padrejtësie. Nuk ka një tabelë që të njoftojë për këtë ndërtim që po bëhet. Ne studiojmë mjedisin dhe dimë ndikimin që ka në mjedis kjo gjë plus që kjo është një shkelje e ligjit.
Ndonjë herë dalim në terren kur kemi orët e përcaktuara por ne ishim të papërgatitur për këtë gjë dhe do i shkojmë deri në fund mbase me një protestë masive.”
Studentët kanë paralajmëruar që dhe nesër do dalin në protestë për këtë situatë.