Dy ditë më parë, rreth orëve të para të mëngjesit është zhvendosur Shqiponja, që ishte vendosur në afërsi të zonës së Doganës.
Pas këtij akti në rrjetet sociale ka gëluar një debat mjaft i nxehtë, nëse kemi të bëjmë në këtë rast me një përdhosje të simboleve, mirëpo për kryeministrin e vendit Shqiponja në atë zonë nuk ishte gjë tjetër veçse një vulgaritet.
I ftuar në studion e Fax News urbanisti dhe politologu Gent Karpata u shpreh se arkitektët e projektit të Unazës së Madhe, teknikisht mund të kishin gjetur një zgjidhje për simbolin, duke e përfshirë atë në ndryshimet që do të bëhen.
“Shqiponja nuk duhej hequr, arkitekti mund ta integronte në projektin e ri, të gjente një zgjidhje që të mos pengonte trafikun. Njerëzit identifikohen me këtë vend, duke lënë takim me njëri tjetrin te ‘’Shqiponja”. E lëmë kryeministrin në përgjigjen e tij, teknikisht Shqiponja mund të ruhej, së pari grupi i punës duhet të mendojë integrimin e saj dhe jo heqjen siç u bë në rastin në fjalë”, u shpreh Karpata.
Më tej ai foli dhe për situatëne banorëve të Astirit që do iu prishen banesat, teksa tha se institucionet që mbahen në këmbë me taksat e shqiptarëve, duhet të kishin menduar me patjetër një zgjidhje, që prej 5 vitesh duhet të ishte ndaluar çdo ndërtim.
“Insitucionet e shtetit e dinë shumë mirë që do të vinte një ditë që në atë Unazë duhet të ndërtohej, pasi ka qenë pjesë e planit rregullues që në vitet ‘90. Prej 5 vitesh banorët duhet të ishin njoftuar, duhej të ishte kontrolluar territori, që të mos bëheshin ndërtime të tjera pa leje. Duhej të ishte gjetur një zgjidhje për çdo familje.
Nuk duhet të harrojmë që nga viti 2006, ne kemi, modifikime të ligjit të legalizimeve, kur thuhet se projekte të ndryshme mund të devijohen sa kohë që mund të prishin ndërtesa private. Institucionet e shtetit që paguhen nga taksat tona nuk e kanë bërë punën e tyre.
Të gjithë janë pro që këtyre njerëzve t’iu jepet një zgjidhje, ata persona mbetin të pastrehë. Në kohën që ligjet nuk japin zgjidhje, duhet të bëjmë ligje të reja. Pasi do të ketë çështje të tjera të ngjashme me këtë”, u shpreh Karpata.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post