Ka përfunduar mbledhja e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Në një dalje për mediat, kryetari Lulzim Basha ka kujtuar shembjen e shtëpive të 153 familjeve në Shkozë, për t’i hapur rrugë punimeve për Lanën.
Basha e krahason qëndrimin e qeverisë me qytetarët lidhur me prishjen e banesave, me qëndrimin ndaj bandave, të cilat lihen të qarkullojnë lirshëm.
“Sot iu shembën shtëpitë dhe nxirren në mes të katër rrugëve, edhe një familje do të ishte dramë. Janë 153 familje.
Ky është treguesi më i qartë se çfarë ishte, çfarë është dhe çfarë do të jetë qeveria e Edi Ramës. Ndërkohë që mbahet ky qëndrim për fatin e 153 familjeve, qindra qytetarëve shqiptarë, nga fëmijët e vegjël e deri te të moshuarit. Tjetër qëndrim mbahet për bandat, paratë dhe qarkullimi i të cilave është i garantuar. Siç ndodhi në Elbasan.”, tha Basha.
Sakaq, Basha foli edhe për Reformën Zgjedhore, të cilën e konsideron një domosdoshmëri, mirëpo sipas tij kryeministri Edi Rama nuk e do. Po ashtu, Basha deklaroi se brenda javës do të niste konsultimet me aleatët, për të diskutuar qëndrimet e përbashkëta për Reformën Zgjedhore.
“Reforma zgjedhore është urgjencë absolute. Duke filluar që nga kjo javë ne do nisim konsultimet politike, për t’i shtrirë ato edhe në rafshin e konsultimeve me qytetarët, me intelektualët dhe me grupet e interesit.
Brenda javës do të nis me aletatët opozitarë si edhe do konsultojmë qëndrimet e përbashkëta të atyre që janë në opozitë me krimin.
Ky është cirk, ai do të pretendojë se ka marrëveshje. Por këtu s’ka marrëveshje sepse ai e prishi. Marrëveshja çfarë kishte në thelb? Votën e lirë. Çfarë bëri ai më 25 qershor? Vodhi dhe bleu votën e shqiptarëve.
Prandaj ky është një cirk ndaj ju ftoj të mos harxhoni kohë me këto.
Qëndrimi im është shprehur që në seancën e parë në Parlament. Thelbi është sepse marrëveshja vdiq sepse Edi Rama shkeli thelbin e marrëvveshjes. Bleu vota sa deshi, angazhoi kriminelët sa deshi.
Reforma Zgjedhore është thelbësore për vendin, që i jep fund rolit të kriminelëve që drejtojnë Shqipërinë.
Prandaj ne po lëvizim edhe në planin e zgjidhjes. Mendoni se Edi Rama do reformë Zgjedhore, kjo është një gënjeshtër e pastër sepse ai është ende kundër votimit të lirë.
Votimi elektronik është thelbësore sepse do mundësojë edhe votën e emigrantëve shqiptarë. PD ka qenë dhe jetë e hapur për këdo që dëshiron të kontribuojë.”, tha Basha.