Në Prishtinë duket se qentë endacakeë janë kthyer në një problem mjaft serioz, pasi Kryetari i komunës Shpend Ahmeti, është detyruar të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ahmeti thotë se situata me qentë endacakë ka arritur nivelin alarmant, prandaj kanë shpallur edhe gjendje të jashtëzakonshme. Kjo në mënyrë që të mund të marrin vendime të shpejta të kontraktimit në përputhje me ligjin.
Ahmeti është shprehur se prej dy vitesh me radhë i ka dërguar letra qeverisë dhe presidencës për këtë problem, mirëpo komuna nuk mund ta zgjidhë e vetme këtë problem. Madje i bën thirrje edhe kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj që qeveria ta ngrejë gjendjen e gatishmërisë
FJALA E SHPEND AHMETIT
Situata me qentë endacakë ka arritur nivelin alarmant. Tash u bënë dy vite që Kryetari Shpend Ahmeti i ka dërguar letra qeverisë dhe presidencës për ta ngritur çështjen në nivel nacional të sigurisë, por ende nuk kemi marr përgjigje. Komunat nuk i kanë as mundësitë e as instrumentet të ballafaqohen vetë me këtë dukuri.
Ne nuk mundemi as ta ndryshojmë legjislacionin e as ta zgjedhim problemin vetëm brenda kufijve tonë. Përkundër faktit që ndajmë mjete për çdo vit, qe dy herë nuk aplikon askush në shpalljen e prokurimit. AVUK është përgjegjës për vendime, Agjenci kjo e nivelit qendror.
Ne jemi jo vetëm të gatshëm të ndihmojmë por edhe të kontribuojmë financiarisht në zgjidhjen e problemit por nuk mundemi vetë. I bëjmë apel edhe kryeministrit Haradinaj që qeveria ta ngrit gjendjen e gatishmërisë sepse nuk ka çështje më të rëndësishme për qytetarin. Duhet dhe mund të mobilizohen AVUK, Universiteti i Prishtinës, FSK, organizatat për mbrojtjen e kafshëve, komunat edhe secili komunitet.
Ne, sot kemi vendosur të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme në Komunën tonë, që të mund të marrim vendime të shpejta të kontraktimit në përputhje me ligjin, por druajmë se nuk mjafton.
Të punojmë së bashku për të arritur zgjidhje të pranueshme për të gjithë! (D.D/Shuplaka)