Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike Shqiptare, Eduart Abazi aleat i Ramës që prej 2015, shprehet përmes një shënimi në rrjetet sociale se, politikanët që drejtojnë vendin do duhej të dilnin të gjithë së bashku pas përgjigjes negative të Bashkimit Europian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë.
Abazi thekson se kjo së paku do të jepte mesazhin tek njerëzit se kanë gabuar dhe që sipas tij, përtej ndjesës marrin edhe përgjegjësinë.
“Pasi të kishin marrë përgjegjësinë, për çdo pasojë ndaj qytetarëvë, do i dëgjonim të thonin diçka edhe për (macaronën), nëse nuk i kanë dhënë material po ata, që ai të arsyetonte (justifikonte) qëndrimin kaq “radikal” për ne dhe pjesën më të madhe të europianëve”, shkruan ndër të tjera Abazi.
Reagimi i plotë:
Kohë që mezi ecte, orë që na u dukën më të gjatat e jetës.
Duke pritur në ankth me shpresë të dilte “tym i bardhë”, sinjal i konsensusit mes 28 burrashteti të BE që nisi në ora 9.30 dje deri 14.30 sot.
Më kot, prap jo, zhgënjim…
Do lehtësohej sadopak brenga e çdo shqipëtari që pas atij procesi të tregonim se jemi bashkë.
Prisnim që në daljen para gazetarëve në orën 16.00 të ishin bashkë në një panel, jo vetëm kryetari i maxhorancës dhe i opozitës, por katër krerë politik që kanë drejtuar vendin e kanë “dorë” në këtë proces, Presidenti i Republikës, madje edhe ish Presidenti e kryeministër.
Megjithë shpresën e dinim që të korat do ishin të dobëta, pasi atë mbollëm, gjatë viteve, e aq më tepër muajve të fundit.
Në kohën që duhet të tregonim kujdes kur kancelaritë po vlerësonin situatën.
Kryetari i shtetit bridhte gërxheve e hidhte nga ndonjë romuz (mufkë) si ti vine frymëzimi nga selfiet me qen dhe mace.
Ca sejmenë pa pikën e turpit në televizionet e Hollanës thoshin se Shqipëria nuk meriton të hap negociatat.
Si kukuvajka çfarë nuk nxirnin nga gojët e ndyra, dhe mendonin se po shplanin helmin në gurmaz, duke kënduar ndonjëherë himnin kombëtar.
Një ish, që plagosi shqiptarët më shumë se kushdo ndër shokë pasi qeverisi më gjatë në këto 30 vjet, si nuk e pengoi diçka në grykë të mos thoshte sot, se: “Shqipëria mori goditjen politike më të rëndë në historinë e saj 30 vjeçare”
Nëse do dilnin bashkë e do guxonin të shihnin në sy njërtjetrin, sëpaku do jepnin mesazhin ndër shqiptarë se, kanë gabuar, e përtej ndjesës marin dhe përgjegjësinë.
Pasi të kishin marrë përgjegjësinë, për çdo pasojë ndaj qytetarëvë, do i dëgjonim të thonin diçka edhe për (macaronën), nëse nuk i kanë dhënë material po ata, që ai të arsyetonte (justifikonte) qëndrimin kaq “radikal” për ne dhe pjesën më të madhe të europianëve.
Mjaftojnë këto të mos pajtohemi me shprehjen se “vakia më e madhe zgjat tre ditë”, duhet të korigjojmë vehten.
Për qytetarët këtu e gjithë shqiptarinë, kemi vuajtur shumë nga pësimet për të nxjerrë mësime.
Me zhgënjim të thellë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post