Vendi ynë vijon të ndikohet nga masa ajrore të qëndrushme dhe të thata me origjinë nga Afrika e Veriut. Moti do të jetë i kthjellët në të gjithë territorin përjashtuar vranësirat e pakta kalimtare në orët e mesditës në relievet malore.
Gjatë muajit gusht do të mbizotërojë koha e kthjellët dhe me temperatura të larta, lajm ky i mirë për personat që nisin pushimet.
“Moti do të vijojë të mbetet i kthjellët por do të por pritet që të kemi rritje graduale të temperaturave duke bërë që gjatë fundjavës të luhaten nga 30 gradë celcius në zonat malore deri në 37 apo 38 gradë celcius në pjesën tjetër të territorit. Në fakt kjo rritje e temperaturave vjen si pasojë e masave ajrore nga veriu i Afrikës, e cila është e fundit për këtë verë, duke bërë që temperaturat të mbeten të larta deri në mesin e muajit gusht. Pjesa e parë e muajit gusht do të mbetet me temperatura të larta, ndërsa parashikohet që të kemi një shkëputje me 2-3 ditë 15 ditëshin e dytë të gushtit duke bërë që të sjellin në rënie të temperaturave dhe kryesisht pjesa e dytë e muajit gusht do të mbyllet me temperatura afër vlerave normale klimatike 32-33 gradë celcius. Parashikohet që të kemi një zgjatje të verës por jemi herët për të dhënë një parashikim të përgjithshëm se sa do të zgjasë kjo verë”, tha Sinoptikania Adiola Bani.