Është duke u zhvilluar paraditen e sotme në Gjykatën Penale të Tiranës seanca për 15 biznesmenët e arrestuar pak ditë më parë, të cilët dyshohet se shmangnin pagesën e taksave dhe detyrimeve të tjera ndaj shtetit, përmes krijimit të skemave të mashtrimit.
Prokuroria e përfaqësuar nga Elisabeta Imeraj ka kërkuar masën e arrestit me burg për të gjithë biznesmenët me përjashtim të Shkëlqim Prodanit, për të cilin ka kërkuar masën e arrestit të shtëpisë. Të gjithë personat, të cilët ishin të pranishëm në Gjykatë, kanë kërkuar lirimin, pasi sipas tyre akuzat e ngritura nga prokuroria nuk qëndrojnë.
Tjetër mendim ka pasur prokurorja Imeraj, e cila u shpreh: “Kërkoj vlerësim të ligjshëm të arrestit për të pandehurit. Rezultojnë dyshime të arsyeshme se subjektet kanë krijuar skemë mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar. Janë kryer një sërë verifikimesh në lidhje me veprën penale”.
E vetmja e arrestuar që ka pranuar që të flasë në Gjykatë ka qenë ish-kandidatja për deputete Shpresa Joanidhi, e cila është shprehur se akuza e prokurorisë nuk qendron, pasi ajo nuk është administratore e kompanisë që përflitet.
“Kam shkuar vetë në polici. Më njoftuan se bëhej fjalë për një njoftim pune. Nuk e dija për cfarë bëhej fjalë. Në polici prita 4 orë dhe aty e mora vesh se më kishin prerë urdhër arrestim. Unë nuk jam administratore. Është një vajzë e re që sapo është emëruar, ka vetëm një javë. Unë kisha për detyrë vetëm për të bërë fatura në bankë dhe jo për fatura shit-blerjesh”, është shprehur Shpresa Joanidhi.
Burime bëjnë me dije se dëmi që këta persona i kanë shkaktuar shtetit mund të shkojë nga 25-30 mln euro. Ky hetim është shtrirë në kohë prej dy vitesh, ndërsa prej 2017-2019, firmat e përfshira në skemë kishin dhe aktivitetin e tyre masiv me faturat e shit-blerjeve për të rimbursuar fiktivisht TVSH dhe ulur tatim fitimin.
https://www.faxweb.al/superaksioni-i-policise-ne-pranga-15-persona-mes-tyre-biznesmene-dhe-ish-kandidatja-per-deputete-emrat/