Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një deklaratë për mediat ka bërë thirrje publike për cdo profesionist që ka lidhje me fushën e mjekësisë, që të bashkohet dhe të punojë për të përballuar situatën që është shkaktuar nga përhapja e koronavirusit.
“Situata e krijuar nga koronavirusi i ri është padyshim një sfidë e një natyre të veçantë, që ka në zemër të saj bashkëpunimin e shumëanshëm me çdonjërin nga ne. Secili nga ne ka një rol të veçantë, me veprimet apo mosveprimet, ndaj dhe ne kemi në dorë të jemi “pjesë e zgjidhjes” apo “pjesë e problemit”.
Sikurse ju e dini i gjithë sistemi ynë shëndetësor është i mobilizuar për të përballuar këtë situatë të pazakontë. Mjekët dhe infermierët, zemra e kujdesit tonë shëndetësor, janë vendosur në vijën e parë të betejës, me një profesionalizëm dhe vetëmohim, që nuk lë vend veçse për admirim dhe mirënjohje të thellë.
E megjithatë, çdo ndihmë shtesë që mund t’i vijë sot sistemit shëndetësor është padiskutim, e dobishme si kurrë më parë. Prandaj, dua të bëj një thirrje publike, për çdo profesionist që ka lidhje me fushën e shëndetësisë, mjek, infermier, farmacist, laborant, profesionist të shëndetit publik, të gjithë Ju që do të ndiheni të gatshëm për të kontribuar për menaxhimin e situatës, për t’i dhënë një dorë, për të shërbyer në sistemin tonë shëndetësor sot është pikërisht dita për ta dhënë këtë kontribut dhe për t’u bashkuar së bashku.
Një thirrje gjithashtu edhe për studentët e mjekësisë, se unë këtu jam me profesor Arben Gjatën me Rektorin e Universitetit të Mjekësisë, për ta drejtuar këtë thirrje për të gjithë studentët e Universitetit të Mjekësisë të cilët janë të ftuar gjithashtu për të na u bashkuar në këtë përpjekje, për të kapërcyer këtë situatë që mund ta përballohet vetëm nëse jemi të gjithë së bashku.
Të tilla situata të pazakonta, pavarësisht natyrës së tyre shqetësuese dhe të paparashikueshme, paradoksalisht kanë një anë pozitive. Ato kthehen në katalizator të solidaritetit, humanizmit, sakrificës edhe bashkëpunimit. Sot jemi pikërisht në situatën ku shfaqja e këtyre vlerave mund të bëjë diferencën edhe në këtë luftë. Çdokush që mendon se mund t’i japë një dorë sistemit shëndetësor është i lutur të na bashkohet njëherë e më parë, sepse sa më pare të veprojmë aq më shpejt do të mund t’i rikthehemi normalitetit dhe jetëve tona.
Ndaj ftoj secilin prej jush që të na bashkohet në këtë luftë për të dhënë kontributin që vendi sot kërkon. Kushdo që është i gatshëm të mos vonojë, të aplikojë në të dy portalet tona, në portalin “Mjekë për Shqipërinë” dhe në portalin “Infermierë për Shqipërinë” për t’iu bashkuar ekipeve tona të shëndetësisë përgjatë kësaj kohe të vështirë për të gjithë ne. Ne do t’ia dalim, sepse të gjithë së bashku si çdo herë do të bëjmë diferencën”, tha ministrja.
Ndërkohë rektori i Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata bëri thirrje studentëve që kanë mbaruar një degë që ka lidhje më mjekësinë që të bashkohen në luftën kundër koronavirusit.
“Të dashur studentë, sot është një moment i rëndësishëm për të gjithë sistemin shëndetësor shqiptar. Ju padyshim që në të ardhmen do të jeni padyshim një nga pjesët më vitale të këtij sistemi, jeni të ftuar të shërbeni që sot.
Është kënaqësi për ne që ju kemi bërë ju studentët e mjekësisë që, që ditën e parë të shkollës të bëni Betimin e Hipokratit dhe presim që t’i qëndroni besnik këtij betimi. Jeni të mirëpritur të gjithë në këtë sforco të madhe që do të bëjë gjithë shoqëria shqiptare dhe gjithë sistemi shëndetësor shqiptar.
Jeni të mirëpritur ju studentët e mjekësisë, jeni të mirëpritur ju studentët e fakultetit të shkencave mjekësore teknike të të gjithë specialiteteve, jeni të mirëpritur ju studentët e fakultetit të mjekësisë dentare, jeni të ftuar ju studentët e farmacisë, studentët e shëndetit publik.
Është një thirrje e cila do t’u vërë në të njëjtin krah, në të njëjtin pozicion, në të njëjtën barrikadë me pedagogët tuaj, me mësuesit tuaj, me kolegët tuaj pak më të vjetër në moshë. Dhe kjo thirrje nuk shtrihet vetëm studentëve të universitetit tonë, kjo thirrje shtrihet të gjithë studentëve që studiojnë në fushën e mjekësisë të të gjitha universiteteve shqiptare, përfshirë universitetet publike, përfshirë universitetet private.
Të bëhemi bashkë, t’i japim një dorë të gjithë për ta kaluar sa më shpejt, me sa më pak dhimbje këtë situatë para së cilës ndodhet vendi. Jam i sigurt që kur kjo situatë të kalojë, të gjithë ju që do t’i bashkoheni kësaj nisme do ta ndjeni veten krenar dhe të lumtur”, u shpreh Gjata.
(M.Q/Faxweb.al)