Është shkarkuar në KPK kreu i Gjykatës së Përmetit Pashk Gjeci, për shkak se i janë gjetur problem me pasurinë, si dhe me pastërtinë e figurës.
Relatorja Sanxhaktari evidentoi problematikat që komisioni kishte konstatuar në pamundësinë e gjyqtarit për dokumentimin ligjor të pasurive që zotëron dhe burimit të krijimit të tyre.
Gjithashtu probleme u konstatuan edhe në pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin e gjyqtarit Gjaci, i cili pranoi se provat që kishte dorëzuar nuk janë në formën e duhur ligjore ndërsa argumentoi se pasurinë e tij e kishte vënë si produkt i investimeve të suksesshme në prona të patundshme.
Çfarë u konstatua në KPK:
Pasuritë pa dokumente ligjore
Relatorja Valbona Sanxhaktari u shpreh se komisioni ka kryer një hetim të pavarur për të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtitë së figurës dhe profesionalizimit.
Sipas raportit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit(ILDKPKI), të dorëzuar në KPK, Kryetari i Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë, ka burime të ligjshme, por ka kryer deklarim të rremë e fshehje pasurie. Ndërkohë ILDKPKI nuk e ka gjetur gjyqtarin në kushtet e konfliktit të interesit.
Sanxhaktari u shpreh se lidhur me një ndërtesë 21 m2 në Fan të Mirditës të blerë në vitin 1995, me vlerë të deklaruar 2800 lekë, nuk është pasqyruar burimi të ardhurave. Ndërkohë, nga verifikimi ka rezultuar se kjo ndërtesë është blerë për 12,800 lekë dhe se nga rivlerësimi i kryer në vitin 2011, është konkluduar se vlera e kësaj ndërtese 700 mijë lekë.
Ndërsa ndërtesa tjetër, po në Fan, me sipërfaqe 300 m2 dhe truall 320 m2 e privatizuar në vitin 1995 në vlerën e 163,800 lekëve, është rivlerësuar 9 milionë lekë në vitin 2011. Sanxhaktari u shpreh se janë konstatuar probleme në deklarimet e kësaj pasurie. Komisioni ka evidentuar si pronë të gjyqtarit edhe një sipërfaqe tokë 2406 m2 në lagjen nr.5 në Laç, me vlerë 1.7 milionë lekë. Sipas Sanxhaktarit, kjo pronë rezulton të jetë ndarë në vitin 2011. Si burim të krijimit të kësaj pasurie, gjyqtari Gjaci ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga puna si avokat në vitin 2009.
Komisioni ka konkluduar se gjyqtari Gjaci nuk ka paraqitur dokumentacion për burime të ligjshme të babait, që është deklaruar si kontribuues në 50% të kësaj pasurie. Sanxhaktari sqaroi se subjekti ka deklaruar se i ati ishte në pension dhe punonte njëkohësisht, por nuk ka mundur t’i vërtetojë me dokumente ligjore këto të ardhura.
Sipas Sanxhaktarit janë evidentuar pasaktësi dhe për deklarimin e pronësisë së 1/3 të një banese tre katëshe dhe një trualli 500 m2 në qytetin e Laçit, në vlerën e 11.5 milionë lekëve. Banesa është deklaruar se është ndërtuar në vitin 2007 dhe rezulton të jetë pajisur me certifikatë pronësie në vitin 2011. Kështu, nga verifikimi ka rezultuar se për këtë shesh ndërtimi është dhënë leje edhe në vitin 1997 në favor të babit të gjyqtarit Gjaci. Ndërkohë, është dhënë sërish leje ndërtimi në vitin 2002. Sanxhaktari shpjegoi se të gjitha veprimet janë kryer nga gjyqtari Gjaci, por nuk ka dokumentacion për kalimin e pronës nga i ati tek ai.
Në deklaratën e parë të kryer në vitin 2010, rezulton që gjyqtari Gjaci të ketë deklaruar se zotëronte një të tretën e ndërtesës, ndërsa në deklaratën veting rezulton pronar i vetëm. Sanxhaktari shtoi se, pavarësisht se leja e ndërtimit ka qenë për një sipërfaqe 192 m2, nuk është deklaruar një sipërfaqe totale e ndërtesës. Ajo theksoi se nga hetimi i komisionit është konkluduar se veç blerjes së tokës nga babai në vitin 2003, të gjitha veprimet janë kryer nga gjyqtari Pashk Gjaci.
Sipas Sanxhaktarit, edhe pse subjekti ka dorëzuar lejen e ndërtimit të vitit ’97 të nxjerrë nga i ati, nuk ka pasur dokumentacion ligjor të plotë. Gjithashtu, gjyqtari Gjaci nuk ka paraqitur pranë komisionit dokumente ligjore as për mundësitë paguese dhe të ardhurat e babait dhe vëllait.
Për sipërfaqen tokë-arë të blerë në Velipojë në vitin 2014 në vlerën e 1.4 milionë lekëve komisioni ka konstatuar se është në emër të gjyqtarit Gjaci. Sipas Sanxhaktarit, të gjitha veprimet për ndarjen e tokës kanë qenë fiktiv dhe nuk rezulton të ketë kaluar gjysma e ngastrës në pronësi të vëllait.
Një tjetër pronë që rezulton që gjyqtari Gjaci ta ketë pasqyruar vetëm në deklaratën vettng është një ngastër tokë-arë me sipërfaqe 600 m2. Kjo pasuri që gjendet në Fan të Mirditës është deklaruar si e trashëguar.
Relatorja sqaroi se për makinën e llojit Isuzu të blerë në vitin 2008 në vlerën e 350 mijë lekëve, gjyqtari Gjaci ka deklaruar se ka kontribuar edhe vëllai i tij. Ndërsa për autoveturën tip Benz të blerë në vitin 2011 në shumën 692 mijë lekë, si burim janë deklaruar të ardhurat nga puna si avokat.
Tjetër pasuri e pa luajtshme që ka deklaruar gjyqtari Gjaci është edhe një apartament 2+1 në Laç. Gjithashtu, ka deklaruar edhe një depozitë bankare në shumën e 3 milionë lekëve për të cilat ka sqaruar se i ka shpenzuar kryesisht për shkollim. Sipas Sanxhaktarit, në deklaratën veting, Gjaci ka pasqyruar të ardhurat në shumën e 16 milionë lekëve që përbëjnë xhiron vjetore, por jo fitimin neto. Ajo shtoi se komisioni ka konstatuar se xhiroja vjetore ishte 13 milionë dhe jo 16 milionë sa ishte deklaruar prej Gjacit.
“Subjekti pretendon se të ardhurat nga puna si avokat janë ato të deklaruara prej tij, por ai nuk paraqiti dokumente ligjorë për ta provuar atë shumë”, theksoi Sanxhaktari. Sipas komisionit, të ardhurat nuk justifikojnë shpenzimet, përfshi dhe ato për vilën 3 katëshe.
Probleme me figurën
Sipas raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), ndaj gjyqtarit pash Gjaci është regjistruar një procedim penal për shpërdorim detyre nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila ka vendosur të pushojë hetimin në vitin 2015. Sipas Sanxhaktarit, subjekti ka shpjeguar para komisionit se procedimi penal i nisur ndaj tij është pushuar me argumentin se fakti penal nuk qëndron. Ndërkohë, komisioni ka kryer hetim edhe për një vendim gjyqësor në Përmet që nuk ishte publikuar në faqen elektronike të Gjykatës së Përmetit, që më pas është gjetur i publikuar nga Gjykata e Gjirokastrës.
Sipas informacioneve që ka siguruar komisioni, vendimi i vitit 2017 për të cilin është kryer kallëzimi penal ndaj gjyqtarit kishte të bënte me një çështje për prodhimin dhe shitjen e narkotikëve. Hetimi i komisionit ka konstatuar se për të bërë të mundur këtë shqyrtim gjyqësor është caktuar një treshe gjykuese nga një tjetër gjykatë. Komisioni ka konstatuar si problematike mospublikimin e këtij vendimi.
Relatorja Sanxhaktari u shpreh se në raportin e DISK thuhej se veprimet e gjyqtarit Gjaci cenonin figurën, integritetin e besueshmërinë e tij dhe bëjnë subjekt ndikimi nga krimi i organizuar”. Për këto arsye, DSIK ka kërkuar papërshtatshmërinë e gjyqtarit Pashk Gjaci për vazhdimin e detyrës.
Denoncimet e qytetarëve rëndojnë pozitën profesionale
Sipas relatores Sanxhaktari, në raportin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë(KLD) nuk janë konstatuar mangësi thelbësore për profesionalizimin e gjyqtarit Pash Gjaci, por vetëm mangësi procedurale. Ndaj tij janë kryer 6 ankesa gjatë kohës së ushtrimit të detyrës, ndërkohë që pranë komisionit kanë mbërritur tre denoncime.
Një prej denoncimeve me objekt kundërshtimin e vendimit të dhënë nga gjyqtari Gjaci në vitin 2013 që është rrëzuar nga Apeli që ka konsideruar se subjekti rivlerësimit kishte cenuar procedurat dhe pa anësinë e procesit. Sipas komisionit ky vendim cenon imazhin e gjyqtarit.
Lidhur me këtë denoncim, Ministria e Drejtësisë i ka drejtuar KLD-së kërkesë për pushimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit. KLD ka vlerësuar se nuk ishin kushtet për vazhdimin e procedimit disiplinor.
Sanxhaktari u shpreh se gjyqtari Gjaci është denoncuar në media për marrjen me forcë të një prone në vitin 2011 në Lezhë. Qytetari P.Gj. ka kryer kallëzim penal për shkatërrim prone dhe ka pasur dëshmi se gjyqtari ka qenë i pranishëm në shkatërrimin pronës. Procedimi ka nisur vetëm për babanë e gjyqtarit. Subjekti ka kërkuar thirrjen e 3 dëshmitarëve, por kjo gjë është refuzuar nga komisioni për shkak se faktet janë të dokumentuara në dosjen e procedimit.
Gjyqtari pranon se s’ka dokumente ligjorë
Kryetari i Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci pranoi para komisionit se provat që ai ka depozituar lidhur me pasuritë nuk janë në formën e duhur ligjore. Po ai u mbrojt duke pohuar se pasuritë janë bërë subjekt i deklarimit që prej vitit 2010 dhe jo në vitin 2003 pasi ka qenë lapsus deklarimi i vitit 2003. Ai shtoi se në kohën kur së bashku me familjarët kanë kryer transaksionet për blerjen dhe ndërtimin e pronave nuk e dinte se do të dilte para komisionit. Gjyqtari Gjaci sqaroi se kur ka punuar si avokat nuk ka pasur një libër për dokumentimin e të ardhurave.
“Në ILDKPKI më thanë se nuk mund të deklaroja një shumë më të madhe nga xhiroja vjetore”, pohoi ai. Më tej, gjyqtari Gjaci pretendoi se xhiroja e vitit 2010 si avokat nuk është përfshirë në shumën totale të të ardhurave nga ky profesion.
Në fund të seancës dëgjimore, relatorja Valbona Sanxhaktari i bëri me dije gjyqtarit Gjaci se edhe pse ai kishte kërkuar përfshirjen e të ardhurave si avokat në vitin 2010, nuk kishte depozituar asnjë dokument ligjor dhe se rezulton që ai të ketë pasur zero aktivitet në këtë periudhë.
“Për të ardhurat si avokat i referohem xhiros mesatare, por nuk kam dokumente”, u shpreh ai.
Për pronën 21 m2 ai pohoi se deklarimi i vlerës 2800 lekë ka qenë një lapsus, pasi vlera e vërtetë ishte 12 800 lekë. Ndërsa si burim të blerjes së kësaj pasurie ai deklaroi letrat me vlerë të nënës dhe të ardhurat nga puna si avokat.
Për konstatimin për fshehje pasurie lidhur me një ndërtesë ekzistuese në vendin ku është ndërtuar vila tre-katëshe, gjyqtari Gjaci deklaroi se nuk ishte faji i babait të tij pse institucionet shtetërore nuk dispononin dokumentet përkatëse. Sipas tij, kanë qenë të kujdesshëm në blerjet e pronave pasi nuk donin të kishin konflikte. Për truallin 500 m2 ku gjendet vila tre-katëshe, gjyqtari Gjaci pohoi se kjo pronë është blerë privatisht para se babai të merrte lejen e ndërtimit në vitin 1997.
Gjaci theksoi se për ndërtimin e vilës kanë kontribuar i ati, vëllai dhe ai vetë. Ai shtoi se që prej largimit nga puna në vitin 1999 kanë punuar së bashku edhe fizikisht për ndërtimin e vilës. Ai shtoi se jo të gjitha ndërtimet ishin kryer nga firma ndërtuese, edhe pse të gjitha shpenzimet ishin pasqyruar aty.
Për pronën tokë-arë 4000 m2 që sipas azhornimit është përcaktuar 3800 m2, gjyqtari Gjaci pohoi se transaksioni është kryer në vitin 2005, por se regjistrimi është kryer më vonë pasi është penguar nga institucionet përkatëse. Për të atin ai shpjgoi se edhe pasi ka dalë në pension të parakohshëm ka punuar në ndërtim. Gjithashtu u shpreh se i vëllai jeton dhe punon që prej vitit 1996 në Itali dhe se është sipërmarrës në sektorin e ndërtimit. Gjaci theksoi se kjo gjë mund të verifikohet mjaft lehtë online në institucionet përkatëse të shtetit Italian.
“Nuk kam blerë apo shtuar pasuri që prej ditës që nisa punë si gjyqtar”, u shpreh Gjaci.
Për pronën në Lezhë për të cilën janë edhe në konflikt, gjyqtari u shpreh se pala tjetër e ka vënë në presion gjykatën që të dalë me një vendim edhe pse kanë kaluar 10 vite. Ndërsa lidhur me denoncimet e kryera në media se ai kishte qenë pjesë e dhunuesve ndaj palës tjetër, gjyqtari e mohoi një gjë të tillë.
Ai pretendoi se edhe konstatimet e DSIK-së nuk qëndronin dhe se kishte qenë gjyqtar vetëm në seancën paraprake dhe se ai vendim nuk lejohet të publikohet
Gjyqtari kundërshtoi më tej konkludimin se marzhi i fitimit të një avokati ishte 60%. Sipas tij, avokati harxhonte vetëm letër dhe bojë dhe se marzhi i fitimit ishte 90-95% të gjithë xhiros.
“Dua të shpjegoj qëndrimin tim subjektiv se nuk kam bërë asnjë shkelje”, pohoi ai.
Gjaci këmbënguli se vila tre-katëshe ishte në pronësi të të atit, të vëllait dhe të tijën dhe se ishte ndërtuar me shpenzimet e të gjithëve me marrëveshje. “S’kam inventar. Nuk e dija se do vija para komisionit kur kam bërë marrëveshjen”, tha ai.
Kryesuesi trupës gjykuese, Olsi Komisi konstatoi se në vitin 2011 është regjistruar në hipotekë trualli dhe vila tre-katëshe në emrin e gjyqtarit Gjaci. Ndërkohë, sipas Komicit nuk rezulton të jetë firmosur dokument ligjor për të kaluar truallin në emrin e tij. Sipas Komicit, i vetmi dokument është ai që tregon blerjen e truallit nga ana e babait të gjyqtarit Gjaci. Ky i fundit shpjegoi se janë kryer të gjitha shpenzimet nga i ati pasi gjendej larg, por se shpenzimet ishin të tijat. Gjyqtari Gjaci shpjegoi se nuk i kishte dhënë babait prokurorë përfaqësimi por vetëm autorizim.
Gjatë shpjegimeve të tij, gjyqtari Pashk Gjaci deklaroi se kishte shfrytëzuar gjithmonë momentet e tregut. Kështu, ai u shpreh se tokën e blerë në Velipojë në vlerën e 400 mijë lekëve, e cila është tokë arë dhe pranë detit, kërkon ta cilësojë truall. Ai tregoi një tjetër rast kur kishte blerë një apartament për 1 milionë lekë nga një person që luante bixhoz të cilin e kishte shitur më pas për 2.5 milionë lekë.