Eksperti i ekonomisë, Enriko Ceko ka zhvilluar një lidhje direkte për Fax News ditën e sotme, ku ka folur për vështirësitë e procesit të fiskalizimit.
Teksa pranoi se procesi i fiskalizmit është një gjë e mirë sepse sjell barazi për bizneset, Enriko Ceko theksoi se ky proces është i vështirë për t’u aplikuar në Shqipëri përshkak të mungesës së infrastrukturës.
Ai mori si shembull bizneset që nuk kanë internet. Sipas ekspertit disa që ai i quan “servilë” ju thonë këtyre bizneseve merrini faturat e shkruara me dorë dhe shkoni hidhini në sistem në ‘internet kafe’.
“Procesi i fiskalizmit është një proces që tregoi se është shumë i vështirë për t’u aplikuar në Shqipëri, jo përshkak të mungesës së dëshirës të gjithë palëve, por për shkak të kushteve të infrastrukturës në Shqipëri. Fiskalizimi është i mirë, se të gjithë janë të barabartë. Në aspektin praktik kjo gjë nuk ndodh. Një pjesë e mirë e territorit nuk është e mbuluar me valë interneti, pavarësisht pretendimit të kompanive që thonë se mbulojnë 100% territorin. Ajo që është më interesante është fakti se punonjësit e taksave i thonë bizneseve që nuk kanë internet ‘mblidhni faturat që jep me stilolaps, dhe pastaj shkoni në internet kafe dhe hidhni faturat aty që të thoni e kemi bërë fiskalizimin. Këto janë amatorizma të njerëzve që kanë marrë urdhër, duan të duken para shefit që dinë të punojnë, janë nga këta tip servilash që thonë po ne dimë t’i bëjmë të gjitha dhe jemi të parët në botë. Edhe vendet që e kanë të zhvilluar shumë mirë infrastrukturën nuk tentojnë të bëjnë një gjë të tillë”, tha ai.
Më tej, eksperti i ekonomisë nënvizoi dhe vështirësitë e bizneseve të vogëla dhe të mesme në lidhje me ndryshimin disa herë të pajisjeve brenda një periudhë 7 vjeçare.
“Ka qenë shumë e vështirë për bizneset e vogëla dhe të mesme si të veprohet për të hedhur në sistem faturat. Gjithashtu ka qenë e vështirë për të kaluar nga një teknologji te një tjetër. Kishte dhe kosto ekonomike. Brenda 7 vitesh këto biznese kanë qenë të detyruara të ndërrojnë 3 here pajisjet. Kjo nuk është normale. Kjo është kosto e madhe për biznesin. Në Shqipëri nuk sistem linje telefonike fikse. Ka zona që punojnë me gjenerator, ndërkohë Shqipëria është një nga vendet më të pasura me burime ujore. Në këto zona ka shumë biznese që nuk kanë filluar ende fiskalizimin“, theksoi ai.
(E.H/Faxweb.al)