Presidenti Ilir Meta i ftuar në Fax News u shpreh se çështja e Prokurorit të përgjithëm i përket ekskluzivisht Kuvendit. Përsa i përket procesit të Vettingut, Meta u përgjigj se presidenti nuk ka as një rol kushtetues.
Gazetari: Z. President, organi i akuzës drejtohet prej 5muajsh nga një Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme. Duke qenë se jeni kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare a keni një vlerësim për punën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme dhe në informacionin tuaj, përsa kohë do drejtohet nga një Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme dhe a ju duket anakronike kjo situatë?
Presidenti Meta: Çështja e Prokurorit të Përgjithshëm me ndryshimet e reja kushtetuese është një çështje që i takon ekskluzivisht Kuvendit, që ka bërë edhe zgjedhjen dhe natyrisht i takon edhe në të ardhmen institucioneve të drejtësisë. Përsa i takon çështjes së Prokurorisë unë mund të them se inkurajo Prokurorinë të përmbushë me përgjegjshmëri detyrat e saj, pavarësisht se klima politike në vend, nuk është mjaft ndihmuese, por si çdo lloj polarizimi ngado që vjen nuk mendoj që është kontribuues për forcimin e institucioneve të pavarura dhe njëkohësisht edhe për efektivitetin e tyre maksimal.
Gazetari: Pati një valë procedimesh penale nga Prokuroria e Përgjithshme muajt e kaluar, duket sikur tashme është pushuar. A keni vërejtur ju z. President një lloj anshmërie sesiProkuroria e Përgjithshme që drejtohet nga Arta Marku, ka një lloj anshmërie apo jo?
Presidenti Meta: Nuk do dëshiroja të bëhesha pjesë e këtyre debateve. Për mua është e rëndësishme që sistemi i drejtësisë, si institucionet të cilat janë në një moment tranzitor, si institucionet e reja, duke patur në konsideratë ato të Vetting-ut që po funksionojnë, por edhe të tjerat që janë në një proces krijimi, të funksionojnë në mënyrë të pavarur, sepse kjo është edhe pritshmëria e opinionit publik.
Gazetari: A keni vënë re raste abuzive në mënyrën se po funksionin sistemi i drejtësisë me procesin e Vetting-ut. Nëse do të vinit re raste të tilla që dalin në pah, a keni mundë si të ndërhyni z. President, t’i parandaloni ato, pra kapjen politike atë që është dhe frika më e madhe në raport më sistemin e drejtësisë?
Presidenti Meta: Presidenti, nuk ka asnjë rol kushtetues dhe asnjë instrument për të ndërhyrë në procesin e Vetting-ut. Përkundrazi janë të përcaktuara qartë edhe institucionet, të cilat mund të rishikojnë vendimet e komisioneve të Vettingut, janë të përcaktuara si Kolegji i Apelimit e kështu me radhë, dhe natyrisht kemi dhe partnerët ndërkombëtarë që monitorojnë këtë situatë, është edhe media edhe shoqëria civile. Pra është detyrë e të gjithëve për ta ndihmuar këtë proces në krijimin e besueshmërisë se drejtësia e re është një drejtë si e pavarur e pandikuar nga politika, e cila do të përkthehet në një besim më të madh për qytetarët shqiptarë.
(M.Q/Faxweb)