Ilir Meta u zgjodh sot Presidenti më i ri i Republikës së Shqipërisë. Ai ka një karrierë politike 26-vjeçare të larmishme në politikën shqiptare.
Meta ka lindur më 24 mars të vitit 1969 në Skrapar.
Ai është diplomuar për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës.
Meta është që prej 15 viteve deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe një nga figurat kryesore politike shqiptare.
Ilir Meta ka qenë në vitet 1990 si pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore që përmbysi regjimin komunist. Nga 1992-i në vazhdim, Meta është zgjedhur deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë, në të cilin ka qenë anëtar i disa komisioneve.
Ilir Meta është njëri nga themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESSH).
Meta në PS ka qenë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues nga Kongresi i Qershorit 1992 dhe anëtar i Kryesisë së Partisë nga viti 1993, deri në periudhën kur dha dorëheqjen nga kryesia e PS-së (Korrik 2003), pas problemeve që ngriti pranë strukturave drejtuese të PS-së mbi mungesën e transparencës në drejtimin e Qeverisë dhe Partisë prej Fatos Nanos.
Në vitet 1993 -1996, Ilir Meta ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Partisë Socialiste dhe nga 1994 – 1996 edhe atë të Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Në vitet 1997-1998, Ilir Meta ka qenë Kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës.
Meta ka shërbyer si Kryeministër i vendit gjatë periudhës Nëntor 1999–Shtator 2001 dhe pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të verës së vitit 2001 u rimandatua si Kryeministër, Shtator 2001 – Shkurt 2002.
Në Shkurt 2002, për të shmangur krizën brenda maxhorancës politike dhe qeverisëse ai dha dorëheqjen nga detyra.
Ilir Meta ka shërbyer edhe si Zv.kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme gjatë periudhës Korrik 2002 – Korrik 2003, Zv.kryeministër dhe Ministër i Integrimit gjatë periudhës Tetor 1998 – Tetor 1999, si dhe Sekretar Shteti për Integrimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme Mars – Tetor 1998.
Në vitet 2003-2004, Ilir Meta ka qenë anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, i drejtuar nga ish Kryeministri i Italisë, Xhuliano Amato.
Ilir Meta më 6 shtator 2004, së bashku me 500 personalitete të tjerë dhe intelektualë themeluan një forcë të re politike në Shqipëri, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Ilir Meta u zgjodh në krye të LSI-së në prill të vitit 2005, duke zbatuar për herë të parë parimin “Një anëtar, një vote”. Z. Meta është rikonfirmuar në krye të LSI-së, në zgjedhjet e tetorit 2012 dhe së fundmi në 6 nëntor 2016.
Në periudhën shtator 2009-shtator 2010, Ilir Meta ka shërbyer si Zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, e më pas si Zv. Kryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës gjatë periudhës shtator 2010-janar 2011.
Në vitin 2013 Meta u zgjodh Kryetar i Parlamentit pas fitores së koalicionit PS-LSI në zgjedhje. Ai mbajti postin e kryetarit të Kuvendit për 4 vjet nga viti 2013 kur PS fitoi me LSI-në ndaj PD-së së Berishës.
Sot Meta u zgjodh Presidenti i 7-të Republikës së Shqipërisë. Ligjërisht ai duhet të heqë dorë të paktën gjatë mandatit 5-vjeçar nga drejtimi i LSI, një partie e cila në logjikën e numrave ka ardhur duke u rritur nga legjislatuart e shkuara. (M.D/Shuplaka)