Buqetës me 45 shkolla të reja të ndërtuara vitet e fundit në Tiranë do t’i shtohen edhe 10 të tjera. Duke folur në ceremoninë e çeljes së programit për Drejtuesit e Shkollave dhe Kopshteve, e zbatuar nga Shkolla e Drejtorëve, një organizatë e mbështetur nga AADF, kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se në të gjithë zonat e Tiranës po ndërtohet një sistem i plotë me çerdhe, kopshte, dhe shkolla 9-vjeçare dhe të mesme.
“Sot në Tiranë kemi ndërtuar 45 shkolla të reja, plus 109 kopshte dhe çerdhe; pra, si infrastrukturë kemi ecur goxha. Me investimet e reja, sidomos në zonat që i janë shtuar Tiranës, si lagjja ‘Rilindja’ [Astiri], Liqeni i Thatë, Kopshti Botanik dhe gjithë zona mes Saukut dhe Farkës, kemi edhe një paketë tjetër për ndërtimin e 10 shkollave të reja. Pra, po maksimizojmë hapësirat që kemi për të ndërtuar një sistem çerdhe, kopësht, 9-vjeçare dhe të mesme, në mënyrë që fëmijët t’I kalojnë brenda lagjes, në një komunitet, të gjitha shkallët e arsimimit. Mezi pres që të nisim këtë vit hapjen e këtyre kantiereve të reja të punës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se ky vit do të jetë një vit me nisma të mëdha solidariteti. Ai solli në vëmendje jo vetëm vendimin për abonenë së përgjithshme falas për pensionistët, por edhe subvencionimin e çmimit për çerdhet dhe kopshtet. “E kemi kthyer këtë vit në një vit të madh solidariteti. Filluam me abonenë falas për gjyshet dhe gjyshërit, duke menduar se në të shumtën e rasteve janë ata që i çojnë fëmijët në çerdhe dhe në kopshte. Por, ne subvencionojmë në raportin 7/1 edhe pagesën për çerdhet dhe kopshtet. Mbase shumica e njerëzve nuk e dinë, por nga një kosto prej 8 mijë lekësh në ditë, e cila përfshin të gjitha shpenzimet në kopshte dhe çerdhe, 7 mijë lekë i paguan bashkia. A mund ta bëjmë të gjithën falas? Edhe mund ta bëjmë, por në këtë fazë, duke paguar diçka fare të vogël, është më mirë për të thënë që kjo nuk është e pavlerë. Këtë subvencionim nuk e bën asnjë vend tjetër sot në rajon”, sqaroi Veliaj.
Ndërkaq, mijëra të rinj të moshave 12-18 vjeç nga kryeqyteti studiojnë në programin Tumo Tirana, për nxitjen e aktiviteteve edukative nëpërmjet teknologjisë. Veliaj tha se Bashkia e Tiranës dhe qeveria janë të vendosura për t’u dhënë mundësi të barabarta të gjithë të rinjve, për të investuar në dije përmes këtyre programeve inovative.
“Nëse do të duhet që të subvencionojmë kosto për autobusë dhe mikrobusë, do ta bëjmë për t’u ardhur në ndihmë edhe fëmijëve që banojnë në periferi. Pra, duhet ta shohim si pjesë të një misioni social, jo vetëm që morëm disa kurse, por si një mënyrë që shkëpusim nga varfëria një familje të tërë. Ne duhet të shfrytëzojmë të gjitha këto institucione që kemi tani dhe të sigurohemi që çdo fëmije t’ia japim këtë mundësi”, tha Veliaj.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal nga e gjithë Shqipëria, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përfaqësues së AADF, donatorë dhe grupe interesi.