Kryeministri Edi Rama ishte sot në një takim ku u prezantua Programi Kombëtar për Zhvillimin e Mësuesve. Së bashku me ministren e Arsimit dhe Sporteve Ogerta Manastirliu Rama prezantoi planin për zhvillimin dhe trajnimin e mësuesve që prek të gjithë sistemin arsimor deri në vitin 2030.
Ky plan ka dhe mbështetje nga Fondi Amerikan i Zhvillimit, UNICEF si dhe Fondacioni për Shoqërinë e Hapur. Rama u shpreh se jemi në një moment shumë vendimtar dhe nevojitet hapja e një faze të re në sistemin arsimor. Kjo falë edhe zhvillimeve teknologjike të paparashikueshme.
Kjo sipas Ramës na vë përpara një sfide të re së cilës duhet t’i përgjigjemi në sistemin arsimor pasi ka të bëjë me të ardhmen e vendit.
Edi Rama: Arsyeja pse ne e shikojmë të domosdoshme hapjen e kësaj faze të re, sepse në radhë të parë siç jeni të vetëdijshëm, se ju jetoni përditë me çfare sjell koha në klasë përmes fëmijëve të cilët janë çdo vit e më sfidues për arsye se të gjithë mjediset ku jetojnë dhe të furtunës së teknologjisë ka përfshirë të madh e të vogël. Për faktin që sot sfida e shpejtësisë së kohës po bëhet e atillë që po merr përmasa realisht sa të frikshme aq edhe frymëzuese. Nevoja për t’u adaptuar me kohën jo shumë vite më parë kur ne e filluam këtë punë të përbashkët ka qenë shumë më e përballueshme sesa sot. Sot nevoja për t’u adaptuar është gati e papërballueshme, prurja e informacionit dhe zgjerimi i kanaleve të informacionit ku teknologjia po merr gjithnjë e më shumë një rol të jashtëzakonshëm, janë të tilla realisht që vënë në pikëpyetje shumë nga gjërat që ne i kemi marrë të palëvizshme. Na vë përpara një sfide, të ruajmë disa themele dhe ekuilibra të cilat janë të kërcënuar më shumë se kurdoherë tjetër. Ju e dini më shumë sepse një pjesë jeni prindër e kaloni të gjithë ditën mes fëmijëve, se çfarë ngarkese psikologjike dhe se çfarë lloj energjie të brendshme ka sjelle kjo kohë. Por në të gjitha rastet kjo kohë nuk e ka vënë në pikëpyetje rolin e mësuesit. Nuk e kanë vënë në pikëpyetje nevojën për mësues. E ka vënë më shumë në pah domosdoshmërinë të fuqizojmë sa të mundemi mësuesin dhe t’i japim mësuesve sa të mundemi forcë motivim aftësi për t’u përballur me atë që koha e sjell përpara sistemit arsimor në pamjen e fëmijëve të vegjël.