Ky është raporti më pozitiv për vendin tonë. Kështu u shpreh zv.kryeministrja Belinda Balluku, pas dorëzimit të progres-raportit të KE.
Nga Kryeministria, Balluku tha se Shqipëria nisi negociata me BE, në bazë merite. Ndërkohë duke u ndalur te reforma në drejtësi, Balluku shtoi se raporti vlerësoi progresin për këtë reformë.
“Me kënaqësi të madhe se raporti është më pozitiv hartuar ndonjëherë për vendin tonë dhe që përfaqëson në mënyrë të drejtpërdrejtë ecurinë shumë të mirë për reformat e thella që ne kemi ndërmarrë dhe rezultatet e tyre konkrete në forcimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit.
Ky raport është një vlerësim real, i drejtë dhe krejtësisht i pavarur i asaj që Shqipëria ka arritur përmes reformave ligjore, institucionale dhe ekonomike, efektet e të cilave janë në sytë e qytetarëve tanë por që marrin një rëndësi edhe më të madhe kur certifikohen nga BE që së bashku me SHBA, janë partnerët tanë kryesorë strategjikë.
Nga korriku i vitit 2022 dhe deri më tani, Shqipëria dhe Komisioni Evropian kanë zhvilluar fazën e parë përgatitore pas çeljes së negociatave, atë të shqyrtimit analitik…sikurse evidentohet edhe në raport, nën koordinimin e krye negociatores dhe strukturave të reja të reformuara për negociatat e BE-së, institucionet shqiptare kanë mobilizuar burime të konsiderueshme për t’u angazhuar aktivisht në procesin e shqyrtimit dhe për t’u përgatitur për hapat e ardhshme të negociatave- u shpreh Balluku.