Teksa na mbeten vetëm dy ditë nga publikimi i progress-raportit ana e komisionerit Evropian për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Johannes Hahn për dy vendet kandidate për çeljen e negociatave si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, prestigjozja “Financial Times”, ka bërë një shkrim dedikuar këtyre vendeve.
Referuar Shqipërisë, prestigjozja shkruan se: “Tirana shihet gjerësisht nga diplomatët si më pak e gatshme për bisedimet e pranimit për shkak të shqetësimeve rreth sundimit të ligjit, korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Ndërkohë që, në lidhje me Shkupin, e përditshmja britanike shkruan se ekziston ende dilema se nëse ky i fundit duhet të eci në të njëjtën rrugë me atë të Shqipërisë drejt antarësimit.
Kujtojmë se, në deklaratat e tij referuar çeljes së negociatave, kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov ka qenë i qartë kur është shprehur se, nëse BE-ja nuk pranon “rastin bindës” të Shkupit për të filluar diskutimet për hyrjen në bllok do të humbasë ndikimin në Ballkanin Perëndimor dhe do t’i hapë rrugë rivalëve të saj si Rusia dhe Kina.
BE dha qershorin e shkuar miratimin e kushtëzuar për ofertat e pranimit të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë fqinje, por vendimi përfundimtar është shtyrë pas mbarimit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, për shkak të kundërshtive ndaj zgjerimit në disa kryeqytete evropiane. Parisi në veçanti është i shqetësuar se bisedimet e zgjerimit do të mbeteshin në “duart” e partive anti-imigruese të ekstremit të djathtë. Kujtojmë se progres-raporti pritet të publikohet këtë të mërkurë, ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi për këto dy vende.
Discussion about this post