Në listën unike të projekteve me rëndësi kombëtare, publikuar në Fletoren Zyrtare, si pjesë e dokumentit të politikave prioritare, plotësimi i segmenteve të Korridorit VIII dhe atij Adriatiko-Jonian janë prioritet sa i përket zhvillimit infrastrukturor të vendit.
Ndër projektet e maturuara, për të cilat është kryer studimi i fisibilitetit, ose projekti është në fazë të avancuar janë riparimi i rrugës Fier–Kthesa e Patosit–Frataj me vlerë 40 milionë euro, ndërtimi i bajpasit të Sarandës me vlerë 34 milionë euro, ndërtimi i aksit rrugor Elbasan–Lekaj, pjesë e Korridorit VIII me vlerë 360 milionë euro, ndërtimi i bajpasit të Tiranë me vlerë 223 milionë euro.
Po ashtu, si pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian është përfshirë edhe segmenti Milot-Balldren me vlerë 213 milionë euro.
Në listë është përfshirë edhe projekti për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, i cili ka nisur prej shtatorit të vitit që lamë pas, me vlerë 298.8 milionë euro, riparimi i rrugës Tiranë–Ndroq–Plepa me vlerë 87 milionë euro, si dhe ndërtimi i bajpasit të Elbasanit me vlerë 240 milionë euro.
Ndërsa në listën e projekteve të maturura pjesërisht, qeveria ka renditur si prioritarë segmentin Milot-Reps, me vlerë 60 milionë euro, Bushtricë-Pika Doganore, pjesë e Korridorit VIII me vlerë 176 milionë euro.
Pjesë të Korridorit Adriatiko-Jonian si projekte pjesërisht të maturuara me rëndësi kombëtare janë segmentet Muriqan-Balldren, me vlerë 469 milionë euro, Gjirokastër-Kakavijë me vlerë 138 milionë euro, Poçem-Memaliaj me vlerë 579 milionë euro, Memaliaj-Ura e Subashit 260 milionë euro, Fier-bajpasi Poçem me vlerë 160 milionë euro dhe bajpasi i Gjirokastrës 100 milionë.
Ndër projektet prioritare të pamaturuara është ndërtimi i rrugës së lashtë të karvanit Vlorë-Berat-Voskopojë-Korçë. Qeveria ka renditur gjithsej 134 projekte me rëndësi kombëtare në kalendarin e menaxhimit të shpenzimeve publike për periudhën 2026–2028.
Projekte prioritare janë renditur në fushën e infrastrukturës, energjisë, shëndetësisë, mjedisit, arsimit, ekonomisë, drejtësisë, sociale, etj.