Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka prezantuar projektin “mes Semanit e Vjosës”. Balluku deklaroi se kjo është një nga projektet më të rëndësishme për qarkun e Fierit.
Ndër të tjera, Balluku theksoi se përmes këtij projekti, transformohet zona e Darzezës.
Fjala e Ministres Belinda Balluku:
Ju të qarkut të Fierit e keni marrë kalanë nga brenda në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, se përveç zëvendësministrit Klosi, i cili e prezantoi me shumë emocion këtë projekt, sepse ka të bëjë me Fierin, Adelina është e lindur dhe e rritur në Lushnje kështu që i kemi mbyllur brenda familjes të gjitha.
Është shumë kënaqësi për mua që të kem mundësi të kontribuoj në një nga projektet më të rëndësishme për qarkun e Fierit, përsa i përket pjesës së zhvillimit ekonomik, sepse unë e quaj një zhvillim ekonomik patjetër, pasi turizmi sot në Republikën e Shqipërisë është kthyer në sektorin kontributor numër një në të ardhurat e vendit. Vetëm në vitin e fundit në ekonominë shqiptare u futën 5 miliardë euro nga turizmi, duke pasur parasysh që viti u mbyll me rreth 12 milionë vizitorë dhe kur ne flasim për vizitorë, flasim për vizitorë të huaj, të cilët vijnë në vendin tonë dhe jo siç bëheshin dikur numërimet e hyrje-daljeve me shqiptarët që shkonin dhe vinin.
U tha nga të dy parafolësit që risia e këtij projekti është se kjo është pjesa e fundit e ultësirës perëndimore, vija bregdetare e pazhvilluar tërësisht deri më sot. Edhe nga pamjet, që sapo ndoqëm ka vetëm disa struktura të lehta të vendosura në atë territor, të cilat sigurisht nuk kanë krijuar asnjë lloj problematike dhe padyshim kjo është hera e parë që ne kemi mundësinë e dizenjimit të një zone të gjerë bregdetare, pasi flasim për 21 kilometra shtrirje në hapësirë, që mund të studiohet nga zero. Duke studiuar kështu të gjithë infrastrukturën, duke studiuar kështu të gjithë vendosjen e nuklave të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë siç e patë dhe ju, me akomodimin, kanë të bëjnë me rekreacionin, kanë të bëjnë me tregtimin dhe duke dhënë mundësi për adresimin e të gjithë kërkesave që mund të vijnë nga pushteti vendor, kërkesave që vijnë nga pushteti qendror për shkak të volumeve të vizitorëve që ne planifikojmë në vitet e ardhshme, por nga ana tjetër, edhe vetë nga kërkesat e banorëve, nga kërkesat e grupeve të interesit.
Ju e dëgjuat drejtoreshën që tha që në ditët në vijim, pas kësaj dëgjese të gjerë publike, ne do të kalojmë më pas në dëgjesat, të cilat janë me grupet e interesit, për të adresuar se çfarë kërkon rinia, çfarë kërkojnë pronarët e truallit, çfarë kërkojnë intelektualët e qytetit, çfarë kërkojnë agjencitë turistike apo më gjerë. E thënë e gjitha kjo, ky do të jetë një projekt inovator në të gjitha aspektet, por nga ana tjetër, do të jetë një faqe historike e planifikimit të territorit. Nëse ka pasur një sfidë shumë të madhe qeveria Rama në këto 12 vite, ka qenë planifikimi i territorit, sepse është shumë më lehtë të ndërtosh një zonë të re, sesa të arnosh apo të sistemosh një zonë që është ndërtuar gabim.
Adelina mund të rri me ditë të tëra dhe t’ju shpjegojë sesi kemi operuar me planet vendore të bashkive të ndryshme për të krijuar sheshe qendrore në vende ku nuk ka pasur, për të krijuar vende rekreacioni për rininë apo për moshën e tretë, aty ku ka pasur vetëm pallate të ndërtuara në kohë të komunizmit apo për të krijuar ambiente dhe sipërfaqe të gjelbërta. Të gjitha këto kanë qenë sfida shumë të mëdha, por si unë, si Adelina vijmë nga një shkollë shumë e rëndësishme, nga shkolla e Bashkisë së Tiranës nën drejtimin e Edi Ramës, pra nga viti 2000 deri në vitin 2011. Ne të dyja kemi qenë pjesë e atij stafi dhe për të thënë të drejtën, unë nuk besoj që ka pas ndonjëherë sfidë më të madhe se kthimi i Tiranës në kryeqytet nga një qytet kioskash. Dhe nëse themi të gjitha këto, atëherë e kuptojmë që për të gjithë ne, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si mbajtësi i politikëbërjes në rregullimin e territorit, për vetë AKPT-në, për Bashkinë e Fierit, që e ka gjithashtu një eksperiencë të mirë, Armando Subashi, bashkë me stafin e tij, sepse Fieri sot nuk ka asnjë krahasim me atë që ka qenë. Për të gjithë ne ky do të jetë një projekt shumë i bukur, për të thënë të drejtën, pa ato sfida dhe pa atë lodhje që kemi pasur zakonisht për të sistemuar dhe për të rregulluar zona të cilat kanë qenë të ndërtuara apo të zaptuara.
Sot, jemi vetëm pak ditë larg nga ulja e avionit të parë në aeroportin e Vlorës. Në ditët e para të majit, Airalbania do bëjë fluturimin inaugurues duke prekur pistën më të madhe në Ballkan, 3.2 kilometra dhe 22 mijë metra katrorë terminal. Ai terminal kur nisi fillimisht projekti nisi vetëm për 5 mijë metra katrorë dhe sot konsorciumi në VIA është duke ndërtuar 22 mijë metra, pasi volumet dhe parashikimet që ne kemi për dekadat në vazhdim flasin për një numër të konsiderueshëm turistësh, pasi dhe vetë viti 2025, krahasimisht me vitin 2024 në katër muajt e parë ka 30% rritje në numrin e vizitorëve. Dhe siç e patë edhe në hartën e prezantimit, sepse ne e themi gjatë gjithë kohës që është më afër Fierit sesa Vlorës ai aeroport, por ju e patë me sytë tuaj sesa larg është nga Pishporo aty ku përfundon ajo promenada, shëtitorja e bukur prej 21 kilometrash që do të jetë gjëja e parë, besoj unë, që do të ndërtojmë.
Në ditët në vijim ne do të kemi mundësi për të vazhduar me dëgjesat dhe siç Adelina e tha, do të kërkojmë nga Bashkia e Fierit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të kërkojë nga bashkia e Fierit që të krijojë kushtet për të mikpritur këtu në qytet një grup nga arkitektët e AKPT-së, së bashku me konsulentët e huaj dhe për të bërë një ëorkshop prej disa ditësh, ku do të mbikëqyret i gjithë terreni dhe për të arritur dhe për të përfunduar këtë projekt. Më pas angazhimi ynë është që Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ashtu siç ka bërë edhe në zona të tjera të vendit tonë në bazë të programit të tij për kohezionin ekonomik dhe social, do të fillojë që të hedhi hapat e parë të ndërtimit në zonë. Dhe sigurisht hapat e parë kanë të bëjnë me të gjitha ato ambiente, të cilat janë të dedikuara për publikun, duke nisur kështu me shëtitoren prej 21 kilometrash, duke vazhduar më pas me atë molin, që përfundon në një pistë, ku sigurisht do të krijohen të gjitha kushtet edhe për vizitorët që vijnë nga deti. Siç e tha Adelina, nga ana tjetër do të krijohen edhe kushtet për ankorimin e anijeve të vogla, të cilat mund ta kthejnë zonën, mund t’i japin zonës një impakt tjetër, pra jo vetëm turizmi që vjen nga toka, por dhe turizmi që vjen nga deti. Duke vazhduar më pas me të gjithë ato vende rekreacione që kanë të bëjnë me moshat e reja, rininë dhe fëmijët dhe patjetër edhe me moshat e treta. Kini parasysh që kampet ditore të cilat nuk është e thënë që të jenë ditore, se mund të jenë dhe kampe akomoduese të të rinjve, sot janë një trend shumë i madh që i ka dhënë Kroacisë një tjetër vend në turizmin elitar. Kampet e ndërtuara në zona të gjelbra në bregdetin kroat, të destinuara për fëmijët i kanë dhënë Kroacisë një prioritet dhe një hap më të shpejtë se vende të tjera, siç është Mali i Zi, apo vende tjera të bregdetit Dalmat, pikërisht se ka zgjedhur këtë lloj turizmi, turizëm akomodues për kampet e pushimit të fëmijëve, duke i pajisur ato edhe me paketa edukative që kanë të bëjnë me ambientin, me bujqësinë etj.
U fol këtu për një treg bujqësor, ose një treg me produkte vendase. Shqipëria, përveç bregdetit dhe të gjithë bukurive të tjera që ofron, po bëhet e njohur ndërkombëtarisht për produktet e saj bio dhe për artin kulinar të jashtëzakonshëm, të pakrahasueshëm me fqinjët e tjerë në rajon. Dhe, nëse ky është një element shumë i fuqishëm i turizmit tonë, padyshim është një element që ne do të kërkojmë ta nxjerrim në sipërfaqe fuqimisht në të gjithë këtë peisazhin e krijuar në projektin mes Semanit dhe Darëzezës.
Në ndërkohë që ne do të vazhdojmë me planifikimin e territorit, do të vazhdojmë me detajimin e këtij masterplani, i cili më pas do të marrë dhe aprovimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, ndërkohë që FSHZH-ja do të fillojë të përgatitet në buxhetet e saj për të adresuar të gjithë këto njësi që unë thashë pak më pare. Kini parasysh që sektori privat do të nisë të gjithë punën paralelisht për të filluar dhe dizenjuar zona të dedikuara për hotelerinë dhe sigurisht për restorantet, baret dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me rekreacionin.
Unë sot që flasim, kam informacione se këto njësi private kanë nisur bashkëpunimin me hotele me pesë yje, pjesë e të cilave ndodhen në Shqipëri në zona të tjera, si në kryeqytet apo në zona të tjera bregdetare, madje edhe zinxhirë të tjerë hotelerie, ndërkombëtarë, të cilët deri më sot nuk e kanë aksesuar Shqipërinë. Pikërisht për shkak të formacionit natyror që ky projekt ka dhe nga ana tjetër edhe për shkak të pastërtisë të ujërave, ku dua të falënderoj edhe Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit për punën e shkëlqyer që ka bërë dy vitet e fundit, pasi nuk ka qenë kjo cilësi uji dy vite më parë dhe janë marrë masa. Janë marrë masa që bregdeti i Darëzezës të vinte në një cilësi optimale për t’u kthyer në këtë që ne synojmë.
Unë sot nuk do të desha të zgjatem në informacione të tjera që kanë të bëjnë me përfitimet sociale që do të sjellë ky projekt, pasi flitet për qindra mijëra vende puna dhe për më tepër flitet edhe për të gjitha benefitet indirekte, të cilat lidhen me zonat përreth dhe kur e them këtë nuk flas vetëm më njësitë administrative që ndodhen pranë atij bregdeti, por flas me qytetin e Fierit dhe të gjitha bashkitë të cilat janë të ndërlidhura brenda këtij qarku, duke nxitur ekonomitë bujqësore, turistike dhe ekonomi të tjera të ndërlidhura dhe duke i dhënë kështu qarkut një tjetër zhvillim ekonomik, i cili në ditët në vazhdim, ashtu siç ne do bëjmë planin për zhvillimin e territorit, do të bëjmë dhe analizën ekonomike dhe fizibilitetin ekonomik që ky projekt do të ketë, të cilin do ta ndajmë me ju në dëgjesat e ardhshme.
Fieri për mua që tashmë e njoh shumë mirë dhe nga afër dhe e flas këtu si një qark, do të thoja që është një nga rajonet më të fuqishme që Shqipëria ka, pasi potencialet e disponueshme në këtë qark janë nga më të ndryshmet. Larmia e potencialeve është nga më e ndryshmet, nga potenciali bujqësor tek ai turistik, tek sektori i nxjerrjes, i naftës dhe gazit dhe gjithçka tjetër që vjen e ndërlidhur me komponentë të rëndësishëm ekonomikë. Janë bërë shumë punë në këtë qark, është pajisur me infrastrukturë moderne, sigurisht që këto zhvillime do të na detyrojnë ne si pushtet qendror që t’i japim një vëmendje akoma më të madhe, pasi në rast se do të kemi një ndërtim të kësaj përmase, sigurisht ne do të na duhet që t’i përgjigjemi me infrastrukturë të shtuar rrugore, do të na duhet që t’i përgjigjemi me infrastrukturë hekurudhore më shpejt se planet që kemi pasur dhe do të na duhet që të përmirësojmë ndjeshëm infrastrukturën energjitike, që meqenëse ra fjala Fieri sot është poli i dytë energjetik më i fuqishëm i vendit. Pra ne kemi pasur si pol energjetik veriun, me kaskadën e Drinit dhe sot që flasim, poli i dytë energjetik në vendin tonë është padyshim gjithë pjesa perëndimore e qarkut të Fierit, me gjithë parqet fotovoltaike që janë ngritur dhe me të gjithë investimet që ne kemi bërë në linjat e transmetimit dhe në linjat e shpërndarjes.
Por të gjitha këto, duke pasur parasysh këtë zhvillim prej 21 kilometrash do të na duhet që t’i japim një vëmendje akoma më të madhe. Dhe këtu më pas të gjithë së bashku do duhet që të dizenjojmë një mënyrë të re për sa i përket shkollave profesionale të cilat janë prioritet i qeverisë shqiptare, kanë qenë prioritet edhe në mandatin tonë të tretë dhe në mandatin tonë të katërt do të marrin një vëmendje akoma më të madhe, pasi për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave për punësim që do lindin në atë zonë dhe në zona të tjera të qarkut të Fierit, do të duhet që të kemi patjetër, grupe të kualifikuara të kualifikimeve të ndryshme, duke nisur nga shërbime, siç janë elektricistët, hidraulikët e duke vazhduar më tej me shkollat e kulinarisë, me shkollat e turizmit dhe patjetër të gjithë nuklat e tjera ekonomike, të cilat prodhohen përmes shkollave profesionale. Pra, siç e kuptoni, ne sot prezantuam një projekt me emrin shumë të bukur për t’ju thënë të drejtën, një emër që të krijon imagjinatë mes Semanit dhe Vjosës, kështu do quhet projekti, por që nga ana tjetër ka një shtrirje shumë të madhe dhe nuk ka të bëjë vetëm me turizmin dhe do një angazhim maksimal nga secili prej jush.
Ju sot duhet të dilni nga kjo sallë me një ëndërr që ka filluar të realizohet tashmë, nuk është më ëndërr, është një projekt që secili prej jush duhet ta marrë me vete, duhet të fillojë të mendojë se çfarë nga ato që pa janë të dobishme dhe çfarë tjetër mund të sugjeroj për ta shtuar. Ndiheni veten pjesë të këtij projekti të madh, sepse unë realisht mendoj që Fieri është shumë me fat që do të ketë mundësinë që të zhvillojë diçka nga e para dhe ta dizajnojë dhe ta ndërtojë, ashtu siç do të donte ky komunitet i shkëlqyer me të gjithë vlerat intelektuale që ka dhe me të gjithë mundësitë që i ka falë Zoti.
Shumë faleminderit që u mblodhët sot.
Unë e vlerësoj shumë dhe ishte kënaqësi e madhe që të kishim këtë startim të këtij projekti fantastik.
Faleminderit!