E ftuar në intervistën e Fax News me gazetaren Jonida Omeri, ishte deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu, e cila diskutoi rreth protestës së sotme të banorëve, për aksin Thumanë -Kashar.
Bakiu u shpreh se shqetësimi i banorëve është që nuk ka dalje në projektin e rrugës Thumanë-Kashar. Ajo tha se për shkak të këtij projekti, janë shumë biznese që rrezikojnë mbylljen dhe banorët të izolohen. Bakiu tha se banorët i kërkojnë qeverisë që të ndërhyjë në projekt e të mundësohet një dalje me qëllim shmangjen e izolimit. Aktualisht, janë 85 mijë banorë që preken nga ky projekt i bashkisë së Krujës.
E pyetur nga Jonida Omeri nëse është marrë një përgjigje nga autoritetet në lidhje me këtë shqetësim, zonja Bakiu u përgjigj:
“Po, kemi marrë përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës. Na është vënë në dispozicion projekti final, sepse këtë kërkonim. Në projektin final rezulton se nuk ka dalje. Kërkesa e banorëve është që të bëhet një dalje”.
“Qeveria nuk e ka shumë të vështirë për të bërë një shtesë fondesh në këtë projekt. Qeveria po bën shtesë fondesh për të mbuluar vjedhjet e saj. Unë e di që të gjitha projektet vendosen për t’u shërbyer qytetarëve. Pse duhet t’i izolojë ky projekt banorët?”, shtoi Bakiu.
Deputetja Bakiu tha se ky projekt ka nisur me shkelje të ligjit.
“Gjëja e parë që duhet të ndodhte, ishte konsultimi me banorët. Kjo nuk ka ndodhur. Kanë filluar punimet dhe projekti nuk është vënë në dispozicion të banorëve. Kjo është shkelje e ligjit dhe arrogancë e qeverisë“, tha Bakiu.
-Jonida Omeri: Cilat janë hapat e radhës që do ndërmerrni ju me banorët, në rast se zëri juaj nuk dëgjohet?
-Merita Bakiu: Ne kemi pritur përgjigjen, kemi përdorur të gjitha procedurat institucionale. Sot kemi dërguar përsëri një kërkesë. Në rast se nuk do ketë një përgjigje, banorët do dalin të bllokojnë rrugët nacionale, meqë qeveria nuk pranon të ulet me banorët dhe të marrë parasysh kërkesat e tyre. Protestat do të vazhdojnë dhe do të përshkallëzohen.
-Jonida Omeri: Po nga ana juaj, si deputete, cilat do të jenë hapat e radhës që do ndërmerrni, nga ana procedurale?
-Merita Bakiu: Duke pasur parasysh që qeveria nuk po merr asnjë lloj mase, ne do t’i drejtohemi organeve të drejtësisë. Por gjithashtu, i bëjmë thirrje Kryeministrit, Ministrisë së Infrastrukturës, Autoritetit, të rishikojnë dhe një herë projektin dhe t’i japin një dalje për këtë zonë. Do ta kërkoj në Parlament. Do të vazhdojë në mënyrë institucionale.
-Jonida Omeri: Jeni shpresëplot që do dëgjohet zëri juaj?
-Merita Bakiu: Nga kjo qeveri nuk presim asgjë, sepse di vetëm të vjedhë, të abuzojëdhe të mos pyesë për kërkesat e qytetarëve. Por besoj se qytetarët do ta kërkojnë zgjidhjen vetë me mënyrën e tyre.