Kryetari i komisionit të Sigurisë Kombëtare, Nasip Naço foli sot për projektligjin e paraqitur prej tij që lehtëson kushtet e izolimit të të dënuarve. Në një intervistë televizive, Naço sqaroi risitë që synon të sjellë ky projektligj i cili është hedhur për konsultim.
Naço solli në vëmendje se aktualisht raporti mes të dënuarve dhe policëve në Shqipëri është 1 me 1, gjë që sipas tij, sjell kosto të lartë për buxhetin e shtetit. Nisma e hedhur për konsultim, sipas Naços, synon uljen e kostos për një të dënuar.
“Nga të dhënat dhe statistikat ne sot kemi gjithsej 700 të dënuar për vrasje dhe 1500 të dënuar për vepra të tjera penale. 500 të dënuar janë në burgun e Sigurisë së Lartë, ndërsa pjesa tjetër ka një perimetër sigurie të lartë. Në ligjin aktual ne kemi burgje të sigurisë së lartë, të zakonshme, të sigurisë së ulët dhe burgje të hapura”, theksoi Naço.
Naço theksoi se nisma ligjore e propozuar prej tij bazohet në modelet e ndjekura në vendi si Anglia, Italia, Holanda, Mali i Zi etj. “Anglia për vepra të lehta penale kur i ka ngelur 3 vjet një të dënuari mund ta kalojë te burgu i hapur apo të ketë një kontratë pune. Pra me perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelinë e burgut”, tha Naço.
Ndryshimet e propozuara, sipas tij, krijojnë mundësinë që të kemi 1 policë për 30 apo 60 të dënuar, pasi kostoja aktuale është shumë e lartë. “Propozoj se nëse është te burgu i sigurisë së zakonshme dhe nëse kanë bërë 2/3 e dënimit, komisioni i vlerësimit i kalon në një shkallë më poshtë te burgu i ulët dhe që këtu kalon te burgu i hapur”, shtoi Naço.