Në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zëvendësministri i Drejtësisë Klajd Karameta, prezantoi projektligjin për “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.Karameta tha se “shpejtësia e zhvillimit teknologjik dhe globalizimi kanë ndryshuar në mënyrë thelbësorë, për mënyrën si mblidhen e transferohen të dhënat personale duke i bërë asete të rëndësishme për shumë biznese si pjesë të aktiviteteve ekonomike”.
Sipas zëvendësministrit, procesi ka “sjellë mundësinë dhe rrezikun që të dhënat personale të qytetarëve të bëhen të aksesueshme dhe të shpërndahen nga persona të paautorizuar”. “Kuadri ligjor nuk është i përfaruar me legjislacionin e ri të BE-së “për mbrojtjen e të dhënave personale”, u shpreh zëvendësministri.
Zëvendësministri theksoi se objektiv i projektligjit është harmonizimi dhe zbatimi standardeve të BE-së në fushën e mbrojtës së të dhënave personale.
Një tjetër objektiv, shtoi Karamata është “garantimi ndaj qytetarëve i një niveli më të lartë kontrolli për të dhënat tyre personale”. “Garantimi i mbrojtjes së të dhënave në mënyrë sa më efektive. Sigurimi i mbikëqyrjes efektive të zbatimit të legjislacionit nëpërmjet forcimit të rolit të zyrës së Komisionerit. Garantimi i një trajtimi më të mirë të mbrojtjes së të dhënave lidhur me sfida e privatësisë në botë digjitale. Krijimi i një kuadri ligjor gjithëpërfshirës”, tha Karameta.
Sipas zëvendësministrit, synohet “përfshirja e Shqipërisë në listën e shteteve për të cilat Komisioni Europian ofron sistem të përshtatur të mbrojtjes së të dhënave me qëllim që importimi i të dhënave nga BE-ja të kryhet lehtësisht”. Deputetja Ermonela Felaj, në cilësinë e relatores tha se ligji aktual është një ligj goxha i hershëm.
“Më duket më se e arsyeshme që Këshilli i Ministrave dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të paraqiten me një ligj. Synohet që qytetarëve shqiptar t’u garantohen standarde më të larta në fushën e mbrujtjes së të dhënave personale”, tha Felaj.