Në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, deputeti i Partisë Socialiste, Nasip Naço, njëherësh kryetar i Komisionit të Sigurisë prezantoi projektligjin e paraqitur prej tij për disa ndryshime “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, që lehtëson kushtet e izolimit të të dënuarve.
Naço solli në vëmendje se aktualisht raporti mes të dënuarve dhe policëve në Shqipëri është 1 me 1, gjë që sipas tij, sjell kosto të lartë për buxhetin e shtetit. Nisma e hedhur për konsultim, sipas Naços, synon uljen e kostos për një të dënuar.
“Duke iu referuar edhe statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, numri total i të dënuarve dhe paraburgosurve është rreth 5000 dhe numri i punonjësve të policisë dhe administratës është gati 5000. Raporti është 1 polic për 1 të dënuar”, tha Naço
Naço theksoi se nisma ligjore e propozuar prej tij bazohet në modelet e ndjekura në vende si Anglia, Italia, Holanda, Luksemburgu etj. Më i përshtatshmi sipas Naços për Shqipërinë është modeli anglez.
“Vende si Anglia, Gjermania, Holanda , Spanja, Zvicra, Italia, Luksemburgu etj. kanë aplikuar tashmë regjime të ndryshëm për kategori të ndryshme për kategori të dënuarish regjim që është vlerësuar tepër pozitiv në drejtim të të drejtave dhe lirive të personave të dënuar”, u shpreh Naço.
“Më i përshtatshëm për rastin e Shqipërisë të paraqitur pranë jush, nga ana ime është parë modeli anglez. Në rastin anglez në kategorinë D të njohur si burgje të hapura akomodohen të burgosur me risk shumë të ulët të cilët gjithashtu janë në përfundim të vuajtjes së dënimit. Të dënuarit në këtë burgje kanë liri lëvizje, mund të marrin pjesë në programe pune dhe ose aktivitet komunitet jashtë burgut”, tha më tej Naço.
“Në këtë burgje mund të vendosen persona të cilët vuajnë një dënim me burg me ose pa lirinë me kusht dhe që u ka mbetur më pas se 3 vjet për t’u liruar”, tha Naço.
Naço theksoi se “qëllimi në propozimin e këtyre amendamenteve të këtij ligji është të kemi një Kod me kosto sa më të ulët për buxhetin e shtetit dhe për çdo të dënuar”.
Ndryshimet e propozuara, sipas tij, krijojnë mundësinë që të kemi 1 polic për disa të dënuar.
“T’u garantojmë atyre kushtet për trajtimin me dinjitet dhe në çdo rast respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, dhe nëpërmjet ndryshimit të propozuar të realizohet që në institucionet e sigurisë së lartë të bëhet kalimi nga raporti 1 polic për çdo të dënuar në raportin 1 polic rreth 5 të dënuar. Institucionet e sigurisë së zakonshme të bëhet kalimi nga raporti 1 polic për të dënuar në raportin 1 polic për rreth 5 deri në 10 të dënuar. Në institucionet e sigurisë së ulët të bëhet kalimi nga raporti 1 polic për çdo të dënuar në raportin 1 polic për 5-10-20 të dënuar”, tha Naço.
“Propozoj që nëse janë te burgu i Sigurisë së Zakonshme dhe nëse kanë bërë 2/3 e dënimit, Komisioni i Vlerësimit të të Dënuarve i kalon në një shkallë më poshtë te burgu i Sigurisë së Ulët dhe që këtu kalojnë te burgu i hapur”, shtoi Naço.
Sipas Naços, 80 ditë do t’i duhet një të dënuari që t’i vijë një përgjigje nga Komisioni i Vlerësimit të të Dënuarve.
Naço tha se “qëllimi im është burgu i hapur dhe kur të punësohen do të marrin 40% të pagës dhe 60% të pagës do ta marrë shteti”.
Projektligji synon të rrisë efikasitetin e procesit, duke e bërë atë më të shpejtë dhe më pak të ngarkuar për gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm. Ky ndryshim është i rëndësishëm për të adresuar sfidat e menaxhimit të të dënuarve, mbipopullimin dhe për të përmirësuar efikasitetin e sistemit të burgjeve, pa cenuar të drejtat e palëve.
Nga ana tjetër deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi tha se është një ligj me efekt elektorale.
“Një nga ligjet më të rrezikshme të depozituar në Komisionin e Ligjeve. Është në vazhdën e ligjeve me efekte elektorale, por efekti më i vogël, krahasuar me rrezikshmërinë që mund të japë në vend” tha Çupi.
Çupi shtoi se Kodi Zgjedhor ndalon këtë procedurë dhe miratimin e këtij projektligji para zgjedhjeve të 11 majit.
“Ky projektligj sot futet në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare. Në mars burgoset do të hedhin valle si të duan. Kjo dispozitë nuk e barazon liritë e njeriut me sigurinë publike”, tha Çupi.