Qeveria gjatë mbledhjes së sotshme uli TVSH për akomodimin (fjetjen) në sektorin e turizmit në 6 për qind nga 20 që aplikohet aktualisht.
Kryeministria publikoi në webin e saj zyrtar projektligjin për një shtesë në “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR”, TË NDRYSHUAR” ku shtohet “ Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Vendimi i qeverisë erdhi pas një kërkesë disa vjeçare që ka bërë sektori.
Së fundmi është vënë re një interes i shtuar për turizmin në vend, si në kahun e kërkesës ashtu dhe ofertës. Hotelet shqiptare, që në fund të vitit të kaluar raportuan se janë përballur me prenotime jo të zakonshme për pushimet e verës 2017. Turistët çekë, polakë dhe sllovakë duket se janë shtuar dukshëm për verën e 2017.
Menaxherët e Rafaelo Resort në Shëngjin thanë se gati gjysma e kapaciteteve, rreth 130 dhoma, janë tashmë të prenotuara nga agjencitë çeke dhe polake, duke pohuar se kërkesa këtë vit është dukshëm më e lartë. Të njëjtën tendencë pohuan edhe menaxherët e hoteleve të mëdha në zonën e Durrësit, Dolce Vita dhe Fafa Resort.
Për vitin 2016 Banka e Shqipërisë raportoi se të ardhurat nga turizmi arritën një rekord prej 1.5 miliardë eurosh në vend. Bilanci neto i të ardhurave nga turizmi ishte rreth 390 milionë euro, niveli më i lartë rekord.
Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2016, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri arritën një rekord prej 4.7 milionë udhëtarësh, me një rritje prej 15% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Edhe bizneset shqiptare, në reagim të kësaj kërkese dhe mungesës së kapaciteteve akomoduese i kanë kthyer sytë nga investimet në hotele e komplekse turistike.
Vas Tours, një nga agjencitë më të mëdha në vend për turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, është duke ndërtuar një hotel në plazhin e Adriatikut, i cili do të operohet në kuadër të kërkesave në rritje për të pushuar vitin tjetër në Shqipëri. Gjithashtu, disa investitorë të sektorit të ndërtimit, po orientohen në shërbimet e turizmit për t’u përshtatur me kërkesat e kohës. Irfan Hysenbelliu do ta kthejë Mak Albanian në Durrës në një resort turistik të standardeve luksoze, të ngjashme me modelet turke të këtyre niveleve.
Luan Bregasi, kryetar i Biznes Albania, me përvojë në fushën e prodhimit dhe atë të ndërtimit, ka nisur së fundmi ofrimin e shërbimeve në fushën e turizmit. Pas ndërtimit të hotel Palace & Spa Durrës, Bregasi synon të zgjerohet më tej në këtë sektor në qytete të tjera turistike. Ai pohoi se norma e rikthimit të investimit në fushën e turizmit llogaritet pas 7- vitesh aktivitet, por vuri në dukje se qeveria ndjek një politikë të ashpër fiskale, duke ofruar TVSH-në më të lartë në rajon për sektorin.
Qeveria shqiptare duhet t’i kthejë sytë nga industria e hotelerisë, jo duke shkuar vetë në plazh dhe me pushime, por duke menduar për ta bërë këtë industri të konkurrueshme në rajon dhe më gjerë, thonë investitoret.
Për vitin 2016, raporti i fundit i Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) na renditi në vendin e 96 nga i 120-i që ishim në vitin 2015 sa i përket kontributit total të turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Për vitin 2017, shifrat janë pozitive, madje ritmi i rritjes së industrisë së turizmit është edhe mbi mesataren botërore, si për kontributin direkt (5.2%), ashtu edhe atë total (5.3%).
Në vitin 2016, kontributi total i turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto llogaritet në rreth 3.2 miliardë dollarë ose rreth 26%. Për këtë vit, kjo shifër pritet të rritet me rreth 5.3%. Për vitin 2027 parashikohet që turizmi shqiptar të kontribuojë me rreth 33% ndaj PBB-së.
Punësimi është një tjetër tregues në rritje. Sipas WTTC-së, gjatë 2016-s, turizmi mbështeti direkt 85,000 vende pune (7.7% të totalit). Gjatë këtij viti parashikohet që kjo shifër të rritet me rreth 3.2% më shumë se në vitin paraardhës. Deri në 2027, numri i të punësuarve pritet të arrijë në 120,000./Revista Monitor