Me vënien në zbatim të miratimit të projektligjit për ndryshimet e në Kodin e Proçedurës Penale, tashmë është edhe prokurori ai që shpall fajtor të pandehurin.
Kjo ka ndodh për shkak të numrit të madh të dosjeve pranë Gjykatës së Tiranës të cilat vonojnë në kohë për tu shqyrtuar.
Sipas ndryshimeve, dosjet e përfunduara brenda një afati të shkurtër përfshijnë të akuzuar për vepra penale që parashikojnë dënimin deri në 7 vjet burgim kryesisht për drejtim mjeti në gjendje të parregullt, fshehje e të ardhurave, ndërtim i paligjshëm, kallëzim i rremë dhe vjedhje.
Gjithashtu me procedurë të përshpejtuar, siç shprehin ndryshimet e reja, janë mbyllur me urdhër penal edhe dosje për kundërvajtje që nga shpifja deri tek plagosja e lehtë.
Marrëveshja e fajësisë firmoset gjatë hetimeve dhe i dyshuari bie dakord që të mos gjykohet duke u shpallur fajtor nga Prokurori.
Përmbajtja e marrëveshjes përmban të drejtën e bashkëpunëtorit për të kërkuar lidhjen e një marrëveshjeje me prokurorin për pranimin e fajësisë dhe caktimin e dënimit, sipas neneve 406/d e vijues të këtij Kodi.
Për gati dy muaj, Prokuroria e Tiranës ka mbyllur 47 dosje hetimore sipas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që për herë të parë sugjeron në drejtësi dënimin nga prokurori të të dyshuarve me marrëveshje fajësie dhe me urdhër penal.
Neni 406/d:
Përmbajtja e marrëveshjes
- Nga çasti i regjistrimit të emrit të personit që i atribuohet vepra penale derisa të mos ketë filluar shqyrtimi gjyqësor, prokurori, i pandehuri, ose përfaqësuesi i tij i posaçëm mund të propozojnë arritjen e një marrëveshjeje mbi kushtet për pranimin e fajësisë dhe për caktimin e dënimit.
- Në bisedimet për arritjen e marrëveshjes prania e mbrojtësit të të pandehurit është e detyrueshme. Arritja e marrëveshjes lejohet për veprat penale, për të cilat ligji parashikon një dënim në maksimum jo më shumë se 7 vjet burgim. Ky kufizim nuk gjen zbatim në rastin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
- Marrëveshja bëhet me shkrim dhe përmban me pasojë pavlefshmërie: a) përshkrimin e qartë të faktit penal, për të cilin akuzohet i pandehuri dhe cilësimin e tij juridik; b) deklarimin e pohimit të fajësisë nga ana e të pandehurit; c) llojin dhe masën e dënimit penal kryesor, dënimit plotësues, si dhe mënyrën e ekzekutimit të tyre, për të cilat palët kanë rënë dakord; ç) disponimet për provat materiale dhe sendet që i përkasin veprës penale, si dhe për konfiskimin e mjeteve e produkteve të veprës penale, sipas nenit 36 të Kodit Penal; d) në rastin kur është legjitimuar paditësi civil, pëlqimin e tij me shkrim për masën e shpërblimit të dëmit nga i pandehuri; dh) shumën e shpenzimeve procedurale; e) nënshkrimet e palëve dhe të mbrojtësit.
- Pas nënshkrimit të marrëveshjes, prokurori njofton viktimën ose trashëgimtarët e saj, kur identiteti dhe vendbanimi i tyre rezultojnë nga aktet e procedimit, duke i dërguar kopje të saj.
- Marrëveshja me kusht për pranimin e pjesshëm të akuzave është e papranueshme.