Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor dhe dy ish-vartësit Aksel Qurduka dhe Albens Alite, të arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, kanë bërë dymbëdhjetë amendime kontratash në rrugën Tiranë-Elbasan.
Prokuroria e krimeve të rënda ka nxjerrë se këto ndryshime janë kryer në kundërshtim me ligjin duke u shmangur Këshilli Teknik i ARRSH si dhe bordi drejtues. Tre zyrtarët e arrestuar kanë urdhëruar financime të pajustifikuara në këtë projekt, duke marrë paratë në formën e korrupsionit dhe duke mos kryer punimet për të cilat janë urdhëruar financimet. Sipas prokurorëve, dëmi ekonomik ndaj buxhetit të shtetit llogaritet në rreth 37 milionë dollarë.
Në dosjen hetimore shkruhet se Dashamir Xhika për amendimet e kontratës, ka shmangur bordin drejtues të ARRSH, që sipas ligjit është organi që merr vendime të tilla. Madje amendimet në disa raste, nuk kanë as datë miratimi.
Prokuroria nxjerr se amendimet 5 dhe 6 janë nënshkruar nga XHika pa praninë e ndonjë përfaqësuesi të Drejtorisë së Njësisë së Menaxhimit të projekteve. Gjithashtu, Dashamir Xhika dhe Aksel Qurduka kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për Ministrinë e Transporteve dhe Bankën Islamike që ka dhënë fondet për rrugën, duke kërkuar para shtesë në shuma të ndryshme.
Kërkesa e Xhikës për fonde shtesë drejtuar Ministrisë së Financave ishte 35 milionë dollar. Ndërsa Aksel Qurduka në dy shkresa dërguar Minstrisë së Transporteve për shtesë fondesh, njëherë ka kërkuar 14.2 milionë dollarë dhe herën tjetër 12.6 milionë dollar. Në të dyja rastet nuk ka marrë përgjigje. Pritet që prokuroria të thërrasë për këtë çështje edhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë të Ministrisë së Transporteve.
Burimi:Klan
Discussion about this post