Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar për gjykim çështjen e Klement Çala-ës, i cili akuzohet për veprat penale të vrasjes me dashje të punonjësit të policisë, e mbetur në tentativë, dy herë, si edhe për veprat penale të krijimit të organizatës kriminale, largimit nga burgu dhe armëmbajtje pa leje, për ngjarjet e ndodhur në burgun e Trikalas në Greqi, në mars 2013.
Klemend Çala së bashku me disa të burgosur të tjerë, ndër të cilët edhe Ilir Kupa dhe Fatos Sulaj, të dënuar tashmë në Shqipëri për këtë ngjarje, kanë organizuar dhe realizuar arratisjen nga burgu dhe kanë tentuar të vrasë dy prej policëve roje të atij institucioni.
Pas arratisjes nga Çalës nga burgu nuk është bërë i mundur arrestimi i tij dhe autoritetet greke kanë kërkuar transferimin e procedimit penal ndaj tij në Shqipëri. Hetimi u zhvillua në mungesë të të akuzuarit, Klement Çalës.
Klement Çala nuk është kthyer më në burgun ku vuante dënimin dhe ndaj tij nga Gjykata e Shkalles së Parë e Trikalas, është nxjerrë urdheri i arrestit.
Ngjarja sipas prokurorisë për arratisjen nga burgu:
Më datë 22.03.2013, persona të panjohur që kishin hipur në një makine tip VAN, i janë afruar territorit rrethues të burgut dhe, pasi janë diktuar nga policët e sherbimit të burgut, kanë dalë nga automjeti, duke mbajtur armë dhe bomba dore dhe me perdorimin e tyre kanë qelluar kundër policeve dhe gardianeve të jashtem të burgut. Përleshja e armatosur ka zgjatur për rreth 30 minuta. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, disa të burgosur të pavjonit C2 të burgut, kryesisht me origjinë shqiptare midis të cilëve dhe shtetasi nën hetim Klement Çala, të cilët me parë kishin prerë kangjellat e dritares, kanë dalë në territorin e brendeshem të burgut, janë ngjitur në tarracë duke përdorur shkallë të sajuara dhe të përshtatura dhe kanë dale nga burgu duke kapërcyer edhe rrethimin e jashtëm. Ka rezultuar se disa nga të burgosurit e arratisur janë larguar drejt godinave dhe të tjerë janë larguar pasi kanë hipur në automjetin e tipit VAN. Automjeti me të cilin ata janë larguar, është gjetur më pas i djegur në një zonë bujqësore dhe ka qezultuar se ishte denoncuar i vjedhur ne dt. 19.03.2013. Në ngjarje kanë mbetur të plagosur dy prej gardianeve të burgut dhe një prej të burgosurve shqiptare, shtetasi E. Sinani i cili me pas ka gjetur vdekjen ne dt. 02.07.2013, si rrezultat i plageve me arme zjarri.