Prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela dhe drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Kanabisit (AKKC), Linda Pustina, nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për kanabisin mjekësor e industrial.
Përmes një njoftimi, Prokuroria e Përgjithshme bën të ditur se marrëveshja ka për qëllim shkëmbimin e informacionit në kuadër të kontrollit, inspektimit dhe monitorimit të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Kanabisit.
“Konkretisht, Prokuroria angazhohet të ofrojë informacion sipas nevojës për kandidatët dhe punonjësit e AKKC-së si dhe për punonjësit e subjekteve të licencuara/lejuara ku përfshihen pronarët/aksionarët, administratorët dhe punonjësit të cilët janë pjesë e procesit të verifikimit të kryer nga Agjencia”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë që Agjencia angazhohet të përcjellë pranë Prokurorisë së Përgjithshme dokumentacionin e plotë lidhur me kërkesën për verifikimin e kandidatëve/punonjësve të Agjencisë dhe të subjekteve të licencuara/lejuara, të provave dhe ekspertizës teknike për hetime dhe ndjekje penale.
Po ashtu bëhet me dije se për zbatimin efektiv të kësaj marrëveshjeje, AKKC dhe Prokuroria do të krijojnë një grup koordinues të përbashkët, i cili do të organizojë takime periodike për të shqyrtuar progresin dhe për të adresuar sfidat e mundshme në implementimin e angazhimeve të përbashkëta.