Ndaj kryebashkiakut të Librazhdit, ndonëse në mënyrë të paqartë, është kërkuar nisja e hetimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, dhe lajmi u mësuar nga burimet për Fax News të cilat thonë se organi më i lartë i akuzës ka kërkuar në KQZ formularin e tij të dekriminalizimit.
Kërkesa është bërë ditën e premte ndërsa po të njëjtën ditë është depozituar nga KQZ-ja dosja e Gurrës ku përfshihet edhe formulari i dekriminalizimit.
Por çfarë ka deklaruar Gurra në këtë formular?
Në dokumentin e mëposhtëm po ti hedhësh një sy, rezulton se nga ajo çfarë ka deklaruar kryebashkiaku (në atë kohë kur e ka shkruajtur, kandidat për drejtimin e Librazhdit nga radhët e Partisë Socialiste), nuk ka diçka e cila të lë përshtypjen për të ngritur dyshime.
Ai ka deklaruar se nuk ka ndryshuar asnjëherë emrin dhe gjeneralitete të tjera, nuk është ndaluar apo proceduar penalisht, nuk ka shkelur ligjet në ndonjë shtet tjetër, nuk është dëbuar nga ndonjë shtet për cilëndo arsye, nuk është dënuar asnjëherë me burgim apo me ndonjë masë tjetër shtrënguese.
Duke marrë parasysh nga ana tjetër se në ‘rrjetën’ e dekriminalizimit kanë rënë disa kryebashkiakë të PS-së, pas denoncimeve të Partisë Demokratike, shtuar kësaj faktin se kjo e fundit ka paralajmëruar nxjerrjen e të tjerë emrave që kanë të kaluar kriminale, precedent penal apo gjëra të këtij lloji, kjo lëvizje ndaj kryebashkiakut të Librazhdit apo e socialistëve në tërësi mund të jetë një masë për t’iu paraprirë denoncimeve vijuese të opozitës.
Emrat e denoncuar deri tani nga Partia Demokratike janë; Valdrin Pjetri i Shkodrës që u largua, Agim Kajmaku i Vorës po ashtu u largua, Mark Babani i Vaut të Dejës, Agron Malaj i Matit dhe Qerim Ismailaj i Mallakastrës.
(F.GJ/FAXWEB.AL)