Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur sekuestro ndaj pronave të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Mësohet se vlera e pronave të sekuestruara arrin në 40 milion euro.
Bëhet me dije se sekuestrimet janë pjesë e hetimeve të nisura në vitin 2016 për dosjen “339”, ku u sekuestruan fillimisht 300 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Lezhës, në vendin e quajtur Mali i Rrenzit në Shëngjin.
Po kështu Nokës i janë sekuestruar toka edhe në zonën Rana e Hedhun, Laguna e Lezhës, si edhe disa apartamente në plazh.
Sipas prokurorisë, e gjithë kjo sipërfaqe toke në bregdet është përfituar duke faklsifikuar dokumentet në mënyrë të jashtëligjshme.
Ndoka akuzohet për ndërhyrje në tjetërsimin e një prone tek “Rana e Hedhur” në favor të disa të afërmve të tij.
Aktualisht Arben Ndoka ndodhet në arrest shtëpie, teksa u arrestua disa muaj më parë në kuadër të operacionit “Volvo 4’, ku u goditën 4 grupe kriminale, midis të cilëve edhe fisi Avdylaj në Shijak, si dhe ish drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko. Arrestimi i ish-deputetit ka ardhur pas përgjimeve të kryera prej muajsh.
Arben Ndoka akuzohet për tjetërsim pronash, ndërsa kujtojmë se ky i fundit ka qenë shpesh herë në qendër të sulmeve të Partisë Demokratike edhe për përfshirje në trafik narkotikësh dhe shfrytëzim prostitucioni.
(F.GJ/FAXWEB.AL)