Prokuroria e Durrësit po heton për lirimin e Lulzim Berishës, i cili ishte dënuar për 5 vrasje dhe krime të tjera të rënda.
Prokuroria ka nisur hetimet mbi disa vendime gjyqësore që lehtësuan lirimin, ndërsa po merret në hetim edhe kryebashkiaku i Durrësit dhe garancia që ai ka lëshuar për Berishën.
Siaps burimeve të gazetës Mapo nga prokuroria, gjykatësit e kishin trajtuar në disa raste Berishën si të burgosur të zakonshëm, por se nuk mund të hetohej vendimi i Gjykatës së Lartë që i hoqi atij dënimin me burg të përjetshëm.
Sipas Mapos në një njoftim për mediat, Prokuroria e Përgjithshme tha se i dënuari ka përfituar ulje dënimi nga një sërë vendimesh të Gjykatës së Durrësit dhe në fund Apeli vendosi ta lirojë me kusht, duke i falur 6 vjet e 22 ditë nga dënimi prej 25 vitesh burg.
“Në kuadër të këtij procedimi, Prokuroria Durrës po shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të dhëna në kohë të ndryshme për të dënuarin Lulzim Berisha nga gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, për përfitim të uljes së dënimit, përfitimit të amnistisë, si dhe ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga Burgu i sigurisë së lartë, në atë të zakonshëm”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas prokurorisë akuza nuk ka tagrin të hetojë kualifikimin ligjor të një vepre penale nga gjykata, duke konfirmuar kështu përjashtimin nga hetimi të vendimit të Gjykatës së Lartë.
Pas këtij vendimi Berisha nisi betejën ligjore për lirimin para kohe nga burgu duke bërë një sërë kërkesash për ulje dënimi, çka do t’i mundësonin atij plotësimin e dy të tretës së dënimit të dhënë nga gjykata.
Po kështu prokuroria sqaron se janë të paktën tri vendime të diskutueshme të Gjykatës së Durrësit, ligjshmëria e të cilave do verifikohet në vijim të hetimit të nisur për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Lulzim Berisha ka përfituar të paktën dy herë nga 90 ditë ulje dënimi duke u trajtuar si i burgosur i zakonshëm dhe jo me rrezikshmëri të lartë, sikurse përcaktohet në vendimin e dënimit të tij.
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë që rrëzoi burimin e përjetshëm është një tjetër vendim që i hap rrugën lirimit para kohe të Lulzim Berishës.
Me kërkesë të të dënuarit, Gjykata e Durrësit vendos transferimin e tij nga burgu i sigurisë së lartë në Fushë-Krujë në burgun e sigurisë së zakonshme të Rrogozhinës.
Falë këtij vendimi, më pas Lulzim Berisha përfitoi dy herë nga 90 ditë ulje dënimi, pra në total 1 vit e gjysmë burgim.
Nëse do ishte trajtuar si i dënuar që vuan dënimin në një burg të sigurisë së lartë nuk do të kishte përfituar më shumë se 45 ditë ulje dënimi në vit.
Por pas uljes së parë, Berisha përfiton një tjetër ulje me 1 vit e gjysmë burg, këtë radhë nga amnistia, por sërish duke u trajtuar si i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe jo për akuzën e vrasjes. Dhe për të plotësuar tre të katërtat e dënimit, pak përpara se të shqyrtohej në Apel kërkesa për lirimin e tij, Gjykata e Durrësi i ul edhe 45 ditë të tjera burg.
Një pjesë tjetër e hetimit të prokurorisë është edhe garancia e lëshuar nga kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili ofronte punë për Lulzim Berishën nëse ai nuk do të punësohej në biznesin privat pas lirimit nga burgu.
“Nga informacioni i publikuar në media, rezulton që në vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, shkruhet se “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”, thotë prokuroria në njoftimin e saj duke përfshirë edhe këtë procedurë në hetimin e nisur.
I vënë publikisht nën akuzë, kryebashkiak i Durrësit Vangjush Dako reagoi dy herë ditën e djeshme për këtë çështje, të cilën e konsideroi procedurë rutinë të Bashkisë.
“Në rastin e Lulëzim Berishës Gjykata e Durrësit nuk është shprehur se ku do të punojë, nuk ka marrë vendim. Neve na u kërkua nga familjarët dhe ne dhamë garanci që nëse gjykata do të vendoste, Berisha mund të punonte në ndërmarrjet e shërbimit në varësi të bashkisë”, tha Dako.
Sipas tij, është procedurë normale që bashkia të ofrojë punë vullnetare për të gjithë personat që gjykata vendos t’i dënojë në komunitet.
Një listë e siguruar nga “Panorama” tregon se Bashkia e Durrësit ka dalë garant për të paktën 30 persona të dënuar, të cilët janë liruar me kusht nga gjykata.
Mes të dënuarve që janë “punësuar” nga Bashkia e Durrësit është edhe shtetasi Feta Mataj, ish-kryetar i PS për lagjen nr. 15 në Durrës, i cili ka vuajtur dënimin për ‘pengmarrje’ dhe ‘grabitje me dhunë’.
Ai ka përfituar nga dënimi alternativ dhe ka kryer punë vullnetare duke u liruar nga burgu po këtë vit, bazuar te referenca që Bashkia e Durrësit i kishte paraqitur gjykatës.
Për këtë garanci të lëshuar nga Bashkia e Durrësit, drejtuesi i saj është akuzuar ashpër edhe në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa kreu i Partisë Demokratike kërkoi shkarkimin e menjëhershëm nga detyra ndërsa zhvilloi edhe një takim me Prokurorin e Përgjithshëm ku dorëzoi një kallëzim penal ndaj Dakos.
Më i ashpër në qëndrimin e tij ishte ish-deputeti Socialist, Ben Blushi, tashmë themelues i partisë Libra, i cili tha se sipas vendimit të “fytyrës së Rilindjes’-kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, u la i lirë një person që ka vrarë 5 veta”.
Blushi u ndal gjatë në lirimin e Lulzim Berishës, duke thënë se ky i dënuar mori një vlerësim pozitiv nga Vangjush Dako, i cili bëri sekserin mes gjykatësit dhe vrasësit.
Gjatë seancës së djeshme akuza bënë edhe deputetë të tjerë të opozitës, përfshi kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, i cili akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama si personin përgjegjës për lirimin e Lulzim Berishës.
Por pavarësisht këtyre deklaratave, prokuroria do të hetojë ligjshmërinë e vendimeve të gjykatës dhe garancinë e Bashkisë së Durrësit.
“Duke qenë se ka dyshime të arsyeshme që zyrtarë të caktuar mund të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, me qëllim krijimin e kushteve për pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha, është vendosur të regjistrohet procedimi penal për veprën penale “shpërdorim detyre”, thotë prokuroria.