Ditën e sotme Prokuroria e Kavajës ka lëshuar 11 urdhër arreste për zyrtarë të Hipotekës pasi akuzohen për korrupsion.
Ata akuzohen se kanë tjetërsuar 36 hektarë pronë publike në bregun e detit, në zonën e Spillesë. Mes tyre është edhe Seid Cikalleshi.
Kush është Seid Cikalleshi?
Seid Cikalleshi është vjehrri i kryetarit të Partisë Socialiste të Kavajës, Gentian Dajës. Ai ka mbajtur detyrën si, ish-kryeregjistrues i Hipotekës në Kavajë.
Dyshohet se tokat me sipërfaqe rreth 36 hektarë i kaluan në pronësi shtetasve të ndryshëm, nëpërmjet fallsifikimit të dokumentave dhe shpërdorimit të detyrës.
Sipas prokurorisë, ish-kryeregjistruesi i Hipotekës së Kavajës, në bashkëpunim me disa zyrtarë të institucionit të tij, si edhe me mbështetjen e ish-zyrtarëve të komunës Kryevidh, kanë ndryshuar zërin kadastral nga “ranishte” në “tokë arë”.
Në bazë të ligjit “Për tokën”, toka ranishte nuk ishte pjesë e fondit të ndarjes së tokave. Këtë sipërfaqe toke, ish zyrtarët ia kanë shpërndarë familjeve të ndryshme, të cilat e kanë shitur.
DETAJE:
Për këtë arsye, Prokuroria e Kavajës i bëri kërkesë gjykatës për caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”, kërkesë e cila u pranua nga gjykata, për shtetasit si më poshtë:
- Seid Cikalleshi, ish-kryeregjistrues i Hipotekës Kavajë
- Dritan Kazazi, hartograf, ZVRPP, Kavajë
- Andi Gjeci, jurist, ZVRPP, Kavajë
- Fatos Kaja, ish-zyrtar i komunës Kryevidh, Kavajë (aktualisht, nënprefekt i qarkut Tiranë)
- Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Kavajë
- Nezir Lecini, ish-shef i Zyrës së Kadastrës, Kavajë
- Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Kavajë
- Enver Duqi, ish-Drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Kavajë Gjithashtu, në kuadër të këtij hetimi,
Prokuroria ka lëshuar urdhërat e ndalimit edhe për shtetasit:
- Altin Çoba, drejtor i ALUIZNI-t, Kavajë
- Behgjet Pjeci, ish-kryetar i komunës Kryevidh, Kavajë
- Dashnor Çullaj, ish-zyrtar i komunës Kryevidh, Kavajë .
Vendimet e gjykatës për arrestimin e shtetasve të mësipërm, si edhe urdhërat e ndalimit të prokurorit, janë ekzekutuar, në pjesën më të madhe, nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit gjatë ditës së martë (14.11.2017). Aktualisht nuk janë zbatuar masat e sigurimit dhe janë shpallur në kërkim shtetasit: Seid Cikalleshi, Fatos Kaja dhe Enver Duqi.
(J.V/Faxweb)