Ditën e sotme Prokuroria e Korçës ka kërkuar dënimin me 37 vjet burg për 5 persona, pasi akuzohen për organizim dhe bashkëpunim në kultivimin e disa parcelave me lëndë narkotike kanabis sativa në zonën e Ersekës. Nga policia në muajin korrik iu zbuluan këtij grupi rreth 11.500 rrënjë kanabis.
Po kështu hetimi për këtë rast ka nisur në bazë të një informacioni të mbërritur në Prokurorinë e Korçës, e cila më pas nisi hetimet, duke angazhuar edhe forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, për të realizuar këqyrjen e parcelave në vend. Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Korçës, rezultoi se drejtuesi dhe organizatori kryesor është shtetasi Altin Dauti, i cili nuk është bërë e mundur të arrestohet.
Detaje, si i ndanin rolet:
I pandehuri Dauti është lidhje familjare me ish-drejtorin e Ujësjellësit të Ersekës, Orest Malushi, i arrestuar më parë për dy vepra të tjera penale. Pas arrestimit të Malushit për “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”, Altin Dauti shkonte shpesh në fshatin Gostivisht, për të kontrolluar stallat me lopë që ishin në pronësi të Malushit. Në maj 2016, Altin Dauti ka konkluduar se ajo zonë ishte e përshtatshme për të mbjellë lëndë narkotike. Për këtë arsye, ai ka angazhuar edhe disa lidhje shoqërore të tijat, nga qytete të ndryshme, për të ndërmarrë veprimtarinë kriminale. Bashkëpunëtorët e Altin Dautit kishin për detyrë të administronin të gjithë proceset e kultivimit dhe pastrimit të lëndës narkotike, si edhe të siguronin punëtorët që do të kryenin punët në parcela.
Në Korrik 2016, kur Prokuroria e Korçës mori informacion për kultivimin e kanabisit në këtë zonë, bimët kishin arritur në lartësinë rreth 1 metër. Forcat policore të mbërritura nga Tirana me kërkesë të Prokurorisë së Korçës, konstatuan se parcelat ishin në zonë të dukshme, por që deri në atë kohë nuk kishte asnjë referim apo kallëzim për situatën. Pas konstatimit në vend të parcelave, si edhe hetimeve të realizuara nga Prokuroria e Korçës deri në atë moment, u arrestuan në flagrancë disa prej personave që kultivonin këto rrënjë, të gjithë persona të ardhur nga zona të tjera të Shqipërisë qëllimshëm për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal. Personat e arrestuar në datë 16 korrik 2016 ishin Edmond Gjata, Asllan Zyba, Ardian Dauti, Adriatik Begaj. Ndërsa nuk është bërë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit Hasan Hyka, i cili është arrestuar më vonë. Këta persona ishin të gjithë organizatorë dhe bashkëpunëtorë të drejtuesit të grupit, Altin Dauti, i cili vijon të jetë në kërkim.
Gjithashtu, gjatë arrestimit të organizatorëve, janë gjetur në parcela edhe rreth 20 persona të tjerë, punëtorë, të cilët nuk kishin dijeni se bima e mbjellë ishte lëndë narkotike. Kjo, pasi organizatorët, e kishin organizuar mbjelljen e parcelave në një formë të tillë që, një rresht ishte me kanabis, ndërsa një rresht me misër.
Në përfundim të gjykimit për këta persona, Prokuroria e Korçës kërkoi dënimin, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, si vijon:
1. Edmond Gjata të dënohet me 8 vjet burgim
2. Asllan Zyba të dënohet me 8 vjet burgim
3. Ardian Dauti të dënohet me 7 vjet burgim
4. Adriatik Begaj të dënohet me 6 vjet burgim
5. Hasan Hyka të dënohet me 8 vjet burgim
Procesi ndaj këtyre persona është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe ata përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit nëse shpallen fajtorë.
Ndërkohë, vijon me procedurë normale procesi gjyqësor ndaj organizatorit kryesor, Altin Dauti, arrestimi i të cilit nuk është bërë i mundur. (J.V/Shuplaka)