Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani ka ngritur gjithsej 33 aktakuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.
“Nuk vjen në shprehje, në asnjë mënyrë, asnjë përkatësi nacionale, qoftë serb, shqiptar, boshnjak, malazez. Drejtësinë do ta bëjmë të barabartë për të gjithë. Ne kemi edhe raste që i kemi prioritet, në mesin e tyre ka qenë Burgu i Dubravës, Meja. Por, kemi prioritet edhe vrasjen e një gazetari serb, për të cilin jemi duke hetuar në mënyrë intensive”, ka thënë kryeprokurori Blerim Isufaj, në një konferencë për media, të premten në Prishtinë.
Numri i vogël i prokurorëve dhe mungesa e bashkëpunimit nga ana e Serbisë, për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, u përmenden nga Isufaj si disa prej problemeve.
Në këtë konferencë, Prokuroria ka dhënë detaje për rastin e Masakrës së Mejës, dhe asaj në Burgun e Dubravës.
Sipas prokurores Drita Hajdari, rasti i Mejës është trashëguar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX, që e kishte hapur hetim në vitin 2013 kundër 18 personave.
Ajo bëri të ditur se me pranimin e rastit në fund të vitit 2018, prokurorët vendës e kanë vazhduar hetimin, duke e zgjeruar atë edhe për 35 persona të tjerë, e duke e çuar në 53 numrin total të të pandehurve në këtë rast.
Lidhur me Masakrën e Dubravës, për të cilën ka filluar shqyrtimi gjyqësor të enjten në Prishtinë, prokurori Ilir Morina ka thënë se në këtë rast janë 88 të pandehur, teksa hetimi po vazhdon.
Ai ka thënë, po ashtu, se edhe ky rast është trashëguar nga EULEX-i.
Morina ka bërë të ditur se është vetëm një i pandehur në paraburgim, derisa për të tjerët po vazhdon hetimi.
“Tri grupe të përfshira në Masakrën e Mejës”
Drita Hajdari nga Departamenti për krime luftë në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës tha se pjesa e parë e këtij rasti përfshinë pesë persona që sipas prokurorisë e kanë planifikuar masakrën.
Hajdari tha se janë njëmbëdhjetë persona të tjerë që bëjnë pjesë në grupin e dytë, e të cilët, sipas prokurorisë, në bashkëkryerje me grupin e parë, kanë zbatuar planin për masakrën e Mejës.
Ajo tha se grupin e tretë prej 37 të pandehur e përbëjnë “ekzekutorë direkt të cilët kanë kryer masakrën ose në ndonjë mënyrë tjetër kanë kontribuar në këtë”.
“Hetimi vërtetoi se në periudhën 27-29 prill 1999 ishte zhvilluar një operacion sistematik i përbashkët dhe mirë i organizuar i ushtrisë jugosllave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, përcjellë edhe me grupin paramilitar, aty janë vrarë 370 civilë, që nuk merrnin pjesë në luftime në momentin e vrasjes. Viktimat ishin nga fshatrat e trevës Reka e Keqe”, tha Hajdari.
Ndër të tjera, ajo tha se operacioni përfshinte dëbimin e civilëve, dhe djegien e shtëpive të tyre.
“Trupat e të vrarëve ishin varrosur në Brekoc të Gjakovës, që më vonë u zhvarrosën dhe u zhvendosën në varret e përbashkëta në Batajnicë të Serbisë, me qëllim të fshehjes së krimeve”, tha Hajdari.
“Po vazhdon hetimi për Masakrën e Dubravës”
Shqyrtimi gjyqësor për rastin e Masakrës së Dubravës ka nisur të enjten në Prishtinë.
Prokurori Ilir Morina tha se në hetim janë 88 të pandehur dhe “ky hetim po vazhdon për një kohë të gjatë sepse është një lëndë e trashëguar nga misioni i EULEX-it”.
Ai tha se vetëm një i pandehur është në paraburgim “dhe urgjenca e procedimit të çështjes ndaj këtij të pandehuri është arsye ligjore për faktin se hetimi është dy vjeçar dhe brenda dy vjetësh duhet të kryejmë një krim lufte, siç e dini është sfidë të kryhet një krim lufte për dy vjet, sidomos për një masakër siç është e Dubravës, por këto i kemi mundësitë ligjore”.
Morina tha se hetimi për të pandehurit e tjerë po vazhdon dhe sipas tij çështja e masakrës së Dubravës nuk përfundon me këtë aktakuzë.
“Jemi duke mbledhur provat dhe në momentin që do të jemi gati në përputhje me kushtet ligjore të përcaktuara me Kodin e procedurës penale do të procedojmë ndaj të pandehurve të tjerë”, tha ai.
Nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999 brenda burgut të Dubravës u vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Kjo masakër zgjati disa ditë.
Masakra në Burgun e Dubravës është cilësuar nga përfaqësuesit politikë në Kosovë si një nga krimet më monstruoze.
Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë. REL