Prokuroria kërkon lirimin e Kastriot Myftarajt pas arrestimit nga policia. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme policia e Tiranës arrestoi dhe shoqëroi për në komisariat analistin Kastriot Myftaraj. Kjo pasi në një status të tijin sipas Policisë kishte nxitur dhunë. Sipas informacioneve të para Myftaraj ishte arrestuar për një status kundë ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila nuk përmendej aspak në njoftimin e policisë.
Sipas policisë ai kishte bërë thirrje publike për veprime të dhunshme, mbi bazën e nenit 223 te Kodit Penal “Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Por sipas Prokurorisë, materialet e policisë nuk përbëjnë vepër penale. Nuk dihet mbi çfarë bazash e ka arrestuar policia Myftarajn, por pas detajimit të prokurorisë, ndaj opinionistit nuk ka asnjë akuzë. A ka patur policia një urdhër-arresti nga prokuroria, apo më vonë gjykuan që nuk ka vepër penale?!
NJOFTIMI I POLICISË:
”Ne date 09.05.2017 Strukturat pergjegjese ne Policinë e Shtetit ne bashkepunim me Prokurorine prane Gjykates se Rrethit gjyqesor Tirane arrestuan shtetasin Kastriot Myftaraj, 51 vjeç banues në Tiranë, me profesion gazetar e jurist.
Myftaraj ka botuar në media një shkrim ku ben thirrje te hapura per te kryer vepra te dhunshme kunder rendit kushtetues.
Ai akuzohet per thirrje publike per veprime te dhunshme, mbi bazen e nenit 223 te Kodit Penal “Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.” (V.G/SHUPLAKA)