Prokurorja Merita Selimi është rikthyer në detyrë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, pas shqyrtimit të çështjes së saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA). Seanca për ankimimin e saj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) u zhvillua më 12 mars 2025, në dhomë këshillimi.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi me shumicë votash të rikthejë në detyrë prokuroren e Lushnjës Merita Selimi, duke rrëzuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që e pati shkarkuar nga detyra në korrik të vitit 2023.
Prokurorja Selimi, për të cilën KPK-ja konstatoi probleme me burimet financiare të një apartamenti në Tiranë dhe me likuiditetet, kishte urdhër-mbrojtjeje, pasi u përmend në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani se ishte në “listën e zezë” të eliminimeve nga kreu i bandës kriminale, Laert Haxhiu.
Njoftimi i KPA-së:
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 48/2023, datë 26.10.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Merita Selimi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 691, datë 27.07.2023.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
· Ndryshimin e vendimit nr. 691, datë 27.07.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Merita Selimi.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall në Tiranë, sot, më datë 12.03.2025”.