Ish Presidenti Bamir Topi ka promovuar ditën e sotme librin e tij antropologjik të titulluar “NOCTURN”. Nëntitulli i librit që ngacmon kureshtjen është “Kur arsyeja, errësohet nga pushteti”.
Pjesë e prezantimit të librit zotit Topi ka qenë Presidenti Meta, ish-kryeministri Aleksandër Meksi, por edhe shumë figura politike, miq dhe dashamirës të cilët e kanë shoqëruar ish-presidentin gjatë jetë së tij duke filluar që me shokët e fëmijërisë dhe më pas miqtë e tij politik.
Në fjalën e tij gazetari Bashkim Hoxha u shpreh se: “Në libër përshkruhet mjaft bukur realiteti shqiptar, për çështjet më të rëndësishme të kombit tonë. Në libër janë përshkruar me hollësi ngjarje si Gërdeci, 21 janari, për pushtetin dhe sesi luhet për pushtet.”
Një fjalë për librin ka mbajtur edhe ish- kryeministri Aleksandër Meksi, i cili u shpreh se libri sjell disa detaje interesante për shqiptarët në Ballkan, mediat dhe ekonominë.
“Në libër përshkruhet edhe diktatura në Shqipëri, si erdhi demokracia dhe si rrodhën ngjarjet më tej. Sido që të jetë, situata ka ndryshuar, por mungojnë analiza për të evidentuar për atë që ka ndodhur. Në libër përshkruhet sesi kundërshtarët konsiderohen armiq. Ky libër sjell me detaje ngjarje, pasi autori ka qenë edhe president i Republikës së Shqipërisë. Interesant se në libër flitet për shqiptarët në Ballkan, për mediat, ekonominë etj.”
Në fjalën e tij gjatë prezantimit, pedagogu Përparim Kabo duke treguar kërshërinë që i provokoi ky libër që në titull, është shprehur se libri është një antropologji me aromë Ballkanike, real i cili në përmbajtje si pjesë të tij ka edhe biseda të ish presidentit me politikan të tjerë të kohës, ku një ndër ta është edhe dialogu shpotitës, sikurse e quan ai, i Topit me ish kryeministrin Berisha.
“Libri është i vendosur mes politikës dhe jetës së presidentit. Në libër flitet edhe për babanë e Bamirit, që i tregoi të birit kulturën dhe njerëzinë. Në libër flitet për karaktere të ndryshme njerëzore. Biografitë janë ose të autorizuara ose të shkruara vetë. Libri mban aromë ballkanike, por ju nuk e keni mentalitetin ballkanik, përkundrazi. Ky është një libër i unit për unin por në marrëdhënie me të vërtetën. Në libër, dialog i hapur dhe shpotitës me Berishën. Ky dialog me të mendoj se është tipar i emancipimit së shoqërisë.”
Me maturin që e karakterizon gjatë fjalimit të tij Topi, pavarësisht se ka shprehur se këto janë kohë të vështira është munduar të mos nxjerri në pah ndasit politike duke u shprehur se: Këtu në këtë mjedis janë bashkudhëtar të jetës politike, dhe nuk do t’i ndajë kurrë në miq dhe armiq sepse politika i ndan njerëzit në të tillë.
“Botimi i një libri në këto kushte që e kam shkruar unë është tepër e vështirë. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për karrjerën time.. duhet të mendohesh të punosh dhe të nxjerrësh në dritë të vërtetën. Praktikisht cfarë jemi këtu, jemi një kolorit Unë këtu kam shokët e mi një shoqëri e padjallëzuar. Shoqërinë time të gjimnazit, mësuesen time. Këtu në këtë mjedis janë bashkëudhëtar të jetës politike, dhe nuk do t’i ndajë kurrë në miq dhe armiq sepse politika i ndan njerëzit në të tillë.
I mirëkuptoj të gjithë. Kam tentuar të shkruaj jo për të qenë cinik, por aq sa për të demostruar para lexuesit të vërtetat për ngjare të mëdha që më kanë shoqëruar. Bëhet viti i 75 dhe ekspozohet në prag të festave të nëntorit i njëjti debat pa vlerë, nëse gjermani i fundit ka ikur në 28 apo 29, ende pa ja gjetur fundin, Atëherë të lind si domosdoshmëri të shkruash të vërtetat e tua. Aq më tepër kur këto të vërteta kanë hyrë në labirintet e një beteje që shpesh deformohet, ose merr një karakter tjetër dhe historia shkruhet nga sundimtarët e radhës.
Vendosa që këtë histori ta shkuaj pas 6 vitesh kur u largova në mënyrë ceremoniale nga institucioni i kreut të shtetit dhe bëra shumë mirë, sepse njeriu ka nevojë të detoksifikohet nga marrëdhëniet, ndonjëherë edhe të ndera, por ishte fati im i mirë apo i keq që pata një presidencë të trazuar. Ngjarje që më shoqëronin njëra pas tjetrës në një frekuencë të lartë, kështu që nga një anë njeriu trazohet nga këto ngjarje, por nga ana tjetër kam qenë me fat që kam shoqëruar dy ngjarje të jashtëzakonshme. Rrugëtimi në NATO dhe Pavarësia e Kosovës.
Janë shumë episode që nuk mund të futen në libër, por nuk është libri që duhet ta demostrojë këtë gjë. Gjatë udhëtimit politik kam pas rastin të takohem me personalitete politike si presidentet e SHBA-së. 4 prej tyre të cilët më kanë mbetur në kujtesë. Ishin të thjesht dhe sportiv për shkak të fuqisë që zotëronin.”