”Shuplaka” publikoi dje apelin e Merita Bollatit, një pronare dyqani te Pazari i Ri, e cila rrezikon të humbasë pronën e saj. Merita, me zë dhe figurë denoncoi çështjen, duke shtuar se njësoj si ajo, edhe 5 pronare të tjera me certifikata të ligjshme pronësie po mashtroheshin.
Po çfarë ka ndodhur me to dhe çfarë fshihet pas kësaj historie?
”Shuplaka” intervistoi 3 prej pronareve, të cilat rrëfyen me detaje gjithë çështjen: Që nga mashtrimi, sipas tyre nga Bashkia e Tiranës, mungesa e drejtësisë në institucionet e gjykimit e deri te kërcënimet me jetë.
Në foto duken 6 dyqanet e Merita Bollatit, Doloreza Qolit, Emanuela Kaimit, Sana Velajt dhe Bajame Koçit. Pas tyre duket muri i vilës së verdhë, me pronarin e të cilës, Ylli Hidrit, janë në konflikt.
Merita, ndjekur edhe nga pronaret e tjera, rrëfen fill e për pe gjithë situatën problematike, e cila ka 1 vit e 3 muaj që ka nisur.
”U futëm te objektet e mbrojtur. Më 31 tetor 2016, na u dha 1 javë kohë, pasi përfaqësuesit e bashkisë folën në media, për të rikonstruktuar dyqanet, të cilat duhet të përshtateshin me projektin e ”Atelier4” fituar nga kjo kompani për Pazarin e Ri.
Për të qenë në rregull, ne i çuam kërkesë Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, IMT-së, INUK-ut, Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit. Ata na thanë ”Vazhdoni” me rikonstruksionin. Duhej bërë rikonstruksioni jo vetëm për t’ju përshtatur projektit të ri, por edhe për çatitë me asbest, një material i dëmshëm.
Ylli Hidri në fakt na bëri një ofertë për t’i blerë 6 dyqanet, në total 500 mijë euro, por ne nuk pranuam. Megjithatë edhe ai e mbylli vilën dhe e rikonstruktoi, duke e përfunduar dhe inauguruar. Tashmë e ka bërë restorant peshku.
Po çfarë ndodhi me ne? Vumë re që Hidri kishte dëmtuar edhe kollonën mbajtëse të një prej dyqaneve, duke nxjerrë themelet. Ne bëmë 2 kallëzime në polici, të cilat as nuk u çuan drejt prokurorisë”, rrëfen Merita.
Por Doloreza Qoli bën një dëshmi edhe më të fortë.
”Më ka kërcënuar me jetë, në mes të pazarit: ”Do të çaj zorrët” më tha”, rrëfen Qoli, duke shtuar se edhe pse polici qe prezent për të regjistruar ngjarjen, e fshiu nga kamera e tij të gjithë dëshminë.
Pas kësaj ngjarje të frikshme për sipërmarrëset e vogla të kryeqytetit, Merita tregon se nisën punimet për rikonstruksionin në nëntor 2016, duke punuar rreth 1 muaj, kur inspektorët e IMT-së bllokuan gjithçka.
”Ishte inspektim me shkelje. Asnjë procesverbal nuk u mbajt në vend. Na u tha që s’kemi të drejtë të bëjmë çatinë, sepse nuk kemi dokumente. Sipas tyre ne kishim bërë rikonstruksion të plotë, por këto foto që ju shihni tregojnë se ne nuk e kishim lëvizur strukturën e parë të çatisë, do ndërronim vetëm tjegullat. Na pezulluan 2 herë, 10 dhe 50 ditë. Ne e çuam çështjen në Gjykatë Administrative duke kërkuar Masën e Sigurisë, pasi gjithçka ishte e zbuluar dhe rrezikohej vjedhja e materialeve të ndërtimit. IMT-ja solli në gjykatë pretendimin se çatitë duhet të rikonstruktoheshin nga kompania ”Salillari”, e cila ishte nënkontraktore për projektin e Pazarit. Por kjo kompani nuk i bëri asnjëherë. Këtë nuk e di, pse nuk erdhi kompania?!
I shkruam pafund Bashkisë së Tiranës, e cila nuk na ktheu përgjigje.
Me sa mësuam, në mënyrë tëfshehtë që në 29 dhjetor 2016 në qeveri Bashkia e Tiranës kishte kërkuar leje ndërtimi mbi objektet tona. Pra leje për ndryshim projekti. Po si mund të kërkohet një leje ndërtimi publik mbi një pronë jopublike?! Mbi pronë të pashpronësuar?! Dhe për çfarë?! Për një magazinë të nëndheshme, e cila me sa dimë duhej bërë te tregu i ngritur, projekt i Fondit Amerikan të Zhvillimit.
Me sa kemi marrë vesh, është miratuar kërkesa për leje por me kusht. Kush është interesi publik për shpronësimin?! Lëshimi i hapësirës për një restorant privat?!”, vazhdon të tregojë Merita.
Doloreza dhe Emanuela shtojnë se në projektin e Pazarit të Ri janë shpronësuar 26 objekte për hapësirat e duhura. Sipas tyre e gjitha është një lojë përvetësimi e pronave të tyre nga Bashkia e Tiranës deri në shpronësimin pa bazë të dyqaneve.
”Ne mendojmë se kjo lojë bëhet për dy arsye: E para për hapjen e fushëpamjes për Ylli Hidrin dhe restorantin e tij dhe e dyta për interes të Bashkisë së Tiranës, e cila kërkon të gjejë një zgjidhje për magazinën e nëndheshme në pronën tonë, ndërkohë që duhet ta kishte bërë në tregun e ndërtuar”, përfundojnë pronaret.
Nuk dihet se çfarë do ndodhë me këto pronare dhe nëse bashkia do reagojë lidhur me shqetësimin legjitim mbi të drejtën e patjetërsueshme të tyre. /SHUPLAKA
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”951″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]