Pas protestave të qytetarëve të Kosovës të cilët në ishin mbledhur në rrugën Gjilan–Prishtinë dhe Prishtinë-Mitrovicë, për të kundërshtuar mbërritjen e një delegacioni serb, reagon presidenti i vendit Hashim Thaçi.
Sipas Thaçit, ky është një veprim që bllokon rrugët e Kosovës në botë dhe shprehet se është tërësisht e papranueshme.
“Bllokimi i rrugëve brenda në Kosovë është bllokim i rrugëve të Kosovës në botë.
Kjo qasje është tërësisht e papranueshme, sepse liria e lëvizjes, liria e tubimit, liria e mendimit politik dhe liria e shprehjes janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Këto vlejnë për çdo qytetar të Kosovës dhe askush nuk do të lejohet që t’i cenojë këto të drejta, pa marrë parasysh dallimet në bindje e qëndrime.
Nga logjika e bllokimit të rrugëve, sikurse ndodhi sot në disa qytete të Kosovës, më së shumti përfitojnë ata që nuk ia duan të mirën shtetit tonë.
Institucionet shtetërore duhet ta garantojnë mbrojtjen e këtyre lirive për secilin qytetar.”, reagon Thaçi.
Mediat serbe shkruajnë se më shumë se 60 autobusë me serbë të cilët ishin nisur për në këtë tubim, janë ndaluar në shumë vende. Tubim ishte paralajmëruar për në orën 13:00, dhe ishte parashikuar edhe pjesëmarrja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Por ky i fundit e anulloi takimin në momentin e fundit për shkak të protestave të kosovarëve. (D.D/Shuplaka)