Kreu i PD-së ka rinisur turin e takimeve me qytetarët në prag të protestës “së madhe” siç e quan ai atë të datës 16 mars.
Sot ai ka takuar banorë dhe sipërmarrës të vegjël në zonën e Paskuqanit.
Një qytetare, nënë e divorcuar ka adresuar te lideri i opozitës shqetësimin se i kanë hequr ndihmën ekonomike sepse ka afër shkollën e fëmijëve si dhe ambulancën.
“Më kanë hequr ndihmën ekonomike. Jam e divorcuar me një fëmijë. Shtëpinë e kam skandal. Të vish të shohësh shtëpinë time se a e meritoj ndihmën apo jo. I kam çuar letër kryeministrit se kam 6 muaj pa drita me fëmijë të vogël sepse mi kanë prerë dhe nuk më ktheu fare përgjigje. Kam paguar taksa 30 mijë lek, ujë, drita“.
Kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu i mëshoi faktit se:
Ndihmë ekonomike tani me Edi Ramën merr 1 në 100 familje.
Basha është shprehur se kjo situatë ka ardhur për shkak të humbjes së lidhjes me realitetin të Ramës dhe qeverisë së tij.
“Ti e meriton ndihmën ekonomike dhe duhet ta marrësh. Ato para që duhet të marrësh ti sot i merr një oligark. Me lekët e një muaji që ti merr për ndihmë ekonomike, ata i harxhojnë për 10 minuta drekë. Kjo duhet të ndryshojë të mos e lëmë të bëhet më keq. Ky shtet nuk do t’ia dijë për ty dhe nuk e di që ti ekziston. Të kesh besim se ne do ta ndryshojmë këtë situatë. Të gjithë në protestë më datë 16 mars“, deklaroi kreu demokrat!
Ky i fundit gjithashtu premtoi se me programin e qeverisë së tij do të bëjë ulje taksash sepse siç tha dhe vetë: Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të reformojë sistemin.
“Ne e kemi planin. Uljen e çmimit të naftës me 300 leke, uljen e taksës së biznesit të vogël 0.5% e xhiros në vit dhe asnjë taksë tjetër, as lokale as qendrore. Të gjitha do të shkojnë për pushtetin lokal. Do ta heqim taksën e “Rrugës së Kombit”. Duhet larguar kjo qeveri. Kjo qeveri nuk e ka lidhur fatin me shqiptarët, por me kriminalët“, u premtoi ai sipërmarrësve në Paskuqan.
Discussion about this post