Banorët e Zall Dajti kanë protestuar sot, pasi sipas tyre punimet e impiantit të prodhimit të asfaltit nga firma “Gjoka Konstruksion” po shkaktojnë ndotje.
Të revoltuar banorët kërkuan pezullimin e punimeve nga impianti i prodhimit të asfaltit, duke argumentuar se gazrat dhe tymrat që emetohen në ajër po dëmtojnë shëndetin e tyre.
Gjatë protestës pati përplasje mes banorëve të Zall Dajtit dhe specialistëve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes së Mjedisit, teksa këta të fundit shkuan për dëgjuar pretendimet e palëve dhe për t’i dhënë një zgjidhje konfliktit.
Banorët thonë se me ndërtimin e këtij impianti është bllokuar edhe rruga, duke izoluar një pjesë të fshatit.
Impianti i prodhimit të asfaltit është ndërtuar nga firma Gjoka Konstruksion pranë Parkut Kombëtar të Dajtit, ndërsa banorët paralajmërojnë se nuk do t’i ndalin protestat derisa fabrika të mbyllet.