Deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari ka qenë i ftuar sot në ‘’Fax News” për të folur në lidhje me protestën e opozitës që do të mbahet në 27 Janar.
Braimllari u shpreh se opozita e bashkuar do të ketë një protestë masive në datën 27 Janar ku qëllimi kryesor është që të rrëzojë Edi Ramën nga qeveria.
“Qeverisja e vendit është kthyer në një show të vërtetë. Do të jetë një protestë masive, për të shprehur atë që ndjejnë çdo ditë qytetarët.
Kjo ka të bëjë direkt me jetesën e tyre, për varfërinë, për vendet e punës që nuk hapen, po mbi të gjitha për shtetin antikushtetues që është vendosur.
Protestat do të vazhdojnë deri në largimin përfundimtar të Edi Ramës nga qeveria. Protesta e 18 Dhjetorit ishte për të mbojtur Kushtetutën e vendit. Sigurisht që ia arriti qëllimit, që ishte mbrojtja e Kushtetutës.
Ne jemi besnikë me aleatët dhe këtë e kemi treguar si me qeverisjen katërvjeçare të PD-së, po ashtu edhe me provokimet që na janë bërë në katërvjeçarin me PS-në.
Besoj se fronti opozitar do të funksionojë në mënyrë të plotë, pasi ne kemi përballë një të papërgjegjshëm, Edi Rama kërkon që të kthejë vendin në një shtet diktatorial.
Është e turpshme si ky njeri kërkon që të kapë të gjithë institucionet e vendit”, u shpreh Braimllari.
(E.K/FAXWEB)