Regjisori dhe aktivisti Robert Budina ka qenë i ftuar sot në Fax news ku ka komentuar protestën e së shtunës që u zhvillua nga ana e opozitës.
Budina u shpreh se një pjesë e aktivistëve që dalin në protestë e dinë se nëse qeveria Rama nuk rrëzohet atëherë prishja e Teatrit është shumë e mundshme.
“Politika vendos për fatin e Teatrit Kombëtar dhe prandaj një pjesë e jona i janë bashkuar protestave të opozitës. Shqiptarët duhet të kërkojnë të drejtat e tyre. Në protestë janë ata qytetarë që besojnë se duhet ndryshim.
Me këtë qeveri në pushtet Teatri nuk shpëton, qeverisë tjetër duhet t’i bëjmë presion për të restauruar TK. Nëse politika nuk bëhet aktive do kalohet në utopi. Ndërrimi i sistemit duhet të bëhet me fakte konkrete”, u shpreh regjisori.
Lidhur me aktet e dhunës në protestë, Budina tha se artistët kanë përcjellë mesazhe paqeje, dhe kanë shmangur konfliktet me policinë. Budina shtoi se dhuna ndaj Sait Dollapit ishte e papranueshme, dhe kjo e ka bërë turmën edhe më të dhunshme.
“Aleanca ka përcjellë mesazh paqje në protestë, nuk donim që të kishim konflikt me policinë. Në protestë kishte njerëz shumë të dëshpëruar, nuk di të them nëse përdorimi i bombave molotov ka qenë i planifikuar dhe me urdhër politik.
Ne e kemi parë që gjatë protestës Dollapi ka ndaluar protestuesit të qëllonin policinë.
Policia në mënyrë skuthe hodhi gaz lotsjellës dhe ndaj nesh, në momentin kur shkuam te Parlamenti, pasi pamë dhunën ndaj zotit Dollapi, dhe ndaj zonjës Albana Vokshi.
Edhe kur po iknim na sulmonin me gaz lotsjëllës. 70% e protestuesve që ishin deri në fund ishin intelektualë. Ramës i duhet një popull ‘tallava’, që qesh me batuta. Ambasadorët ndërhyjnë ku preken politikanët, ndër- kombëtarët nuk interesohen kur preket populli.
Ambasadorët veprojnë me standarde të dyfishta, ndaj në këtë pikë nuk më intereson mendimi i ndër-kombëtarëve”, u shpreh Budina.
I pyetur nga gazetarja Armela Ferko nëse do të jetë në protestën e pasdites së sotme, Budina tha se ai do të jetë përpara kryeministrisë, pasi qëllimi është lirimi i personave që janë arrestuar padrejtësisht.
(E.K/FAXWEB.AL)