I ftuar në studio ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari ka folur për protestën e sotme të opozitës. Ai ka komentuar gjithashtu dhe akuzat që vijnë nga radhët e kësaj të fundit apo pretendimet se gazi lotsjellës i përdorur nga uniformat blu gjatë protestave ka qenë i dëmshëm si të paprovuara duke i cilësuar si politike me synim marrjen e pushtetit.
Havari është shprehur se asnjë prej protestuesve nuk e di pse ndodhet aty duke u bërë kështu vegla të organizatorëve të protestës.
“Policia u përball me një grup njerëzish qorra që nuk e dinin ku po shkonin. Protestuesit po përdoren nga opozita. Protestuesit vijnë barkbosh dhe ikën barkbosh, kurse organizatorët ikin në restorant dhe ushqehen dhe pijnë verë të bardhë dhe hanë peshk se mishi i kuq u bën keq. Populli duhet ti thërrasë ndërgjegjes deri kur do të vazhdojë të shpresojë prej tyre, duhet të ngrihet vetë sic bënë gjithë bota, të distancuar nga kjo klasë politike.”
Ndërkohë ka komentuar dhe sjelljen e policisë apo përdorimin e gazit lotsjellës duke kërkuar që të mbahet përgjegjësi nga autoritetet nëse është përdorur gaz lotsjellës helmues.
“Policia e Shtetit nuk i ka provokuar protestuesit, por ka ndodhur e kundërta. Në qoftë se ata që janë në shesh kanë probleme ekonomike këta që i drejtojnë, organizatorët, nuk kanë asnjë problem veç pushtetit. Në një vend demokratik nuk zgjidhen konfliktet me forma ekstreme, edhe pjesa inteligjente e popullit nuk e mbështet, as Amerika as BE. Këto janë akuza politike, ata janë në rregull. Akuza të ndërsjellta për çëshje politike, por nëse ka policë të cilët kanë dalë mbi kompetenca mbi ligjin le të përballen. Unë nuk jam ekspert i kimisë, nëse është kështu, pra të kenë përdorur gazlotsjellës helmues, ata mbajnë përgjegjësi ligjore”, u shpreh Havari.
Protesta e sotme ishte në vazhdën e protestave që opozita ka deklaruar se do të organizojë deri në rrëzimin e qeverisë Rama, ngritjen e një qeverie teknike si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.