Nga Mentor Nazarko:
Për të kuptuar protestën e opozitës sot dhe gjithë ditët, çka ndodh apo pritet të ndodhë, do të duhet të vendoset në kohën dhe në hapësirën e ndërlidhur me ne. Të krahasohet me ngjarjet e kohës dhe të rajonit ku është vendosur Shqipëria. Ish-bota komuniste, Rumania, Bullgaria, kanë parë protesta të forta të opozitës; në rajon, Maqedonia gjithashtu ka parë një cikël të fortë protestash jo thjesht partiake, por edhe të shoqërisë civile. Kosova po ashtu. Tani erdhi radha e Shqipërisë. Por pak më larg nesh ka dhe diçka interesante në mitologjinë ballkanike, që lidhet me protestën. Në SHBA ka ndërruar administrata presidenciale. Prej opozitës, dhe ndoshta një pjese të qeverisjes, u prit me tmerr rikonfirmimi i demokratëve të Hillary Klinton-it, por as ardhja e Trump nuk po jep shpresa. Lakimi në shkrime të sponsorizuara anglisht i emrit të ambasadorit të SHBA-ve, Lu, si pjesë e një konspiracioni ballkanik me Sorosin e urryer, nuk dha asnjë rezultat në Departament të Shtetit. Shpata e tij e vetingut po sillet fort në ajër hëpërhë, më së pari në drejtësi, por askush nuk garanton se ajo nuk do të vijojë të presë dhe në politikë. Edhe BE-ja nuk ka rënë, megjithëse është dobësuar. Ambasadorja e Bashkimit Europian, Vlahutin, musketierja e reformës që nis me vetingun, ende është në rol të dorës së parë në skenë, me gjithë sulmet shqiptare për blerje të dyshimta të rezidencës së saj.
Në një kontekst si ky, Shqipëria gjendet në një situatë kontradiktore. Nga njëra anë mori rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim. Nga ana tjetër ka zëra kritikë denoncues mediatikë ndërkombëtarë për mbjellje masive të kanabisit në zona të ndryshme të Shqipërisë. Kjo konfirmohet dhe me kapje të sasive të mëdha qoftë prej policisë vendore, qoftë prej asaj të vendeve fqinje. Ka pasur denoncime, madje edhe prej ministrave të caktuar të qeverisë që vijnë nga radhët e LSI-së, që e lidhin këtë sasi me blerjen e zgjedhjeve. Në kushte të tilla, pas humbjeve në zgjedhje të pjesshme të Dibrës, edhe opozita e pretendon këtë gjë. PD-ja praktikisht e ka shndërruar në lajtmotiv të protestës së vet këtë lidhje të kanabisit me zgjedhjet. Opozita s’ka shumë karta në dorë, me gjithë lajmet që vijnë nga SHBA-të, BE-ja, apo rajoni. Veç të protestojë, duke u përpjekur të arrijë masën kritike për blerjen eventuale të zgjedhjeve me kanabis në dorë.
KËRKESA FORMALE E OPOZITËS
Narrativa e opozitës është pak a shumë kjo: qeveria ka toleruar, është përfshirë në mbjelljen, kultivimin dhe tregtimin e kanabisit dhe me paratë e pista do të blejë zgjedhjet. Opozita kërkon një qeveri teknike si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme që mund të blihen nga ana e qeverisë, më saktë nga pjesa socialiste e saj, sepse pjesa e LSI-së është distancuar.
Nëpërmjet kësaj kërkese, opozita praktikisht po afirmon se një Kod Zgjedhor i ndërtuar konsensualisht sipas parimit “hajduti ruan hajdutin” nuk mjafton. Pra, është e kotë të amendosh Kodin me kërkesa të saj, sepse zgjedhjet mund të blihen me para të pista. Për këtë arsye është bojkotuar Komisioni i Reformës Elektorale dhe çdo afat kushtetues për ndryshimin e Kodit ka rënë, do të duheshin 6 muaj që këto ndryshime të jetësoheshin. Në rastin konkret, praktikisht opozita do të instalojë një precedent të ri: disa muaj para zgjedhjeve, qeveria duhet të bëhet teknike, sepse qeveria në pushtet prej më pak se 4 vjetësh mund t’i blejë ato, me para të ligjshme dhe të paligjshme. Brenda këtij precedenti qëndron mosbesimi në popullin që mund të blihet në frymën e protestës, që mund të shuhet pikërisht prej parave të pista. Po sondazhet ç’thonë? Dhe, po sikur ky precedent të shndërrohej në precedent ballkanik?
SFIDA E BRENDSHME PARTIAKE
PD-ja gjendet para një sfide të madhe me Bashën kryetar në ballafaqimin më të rëndë- sishëm politik të tij, zgjedhjet parlamentare. Hija e Berishës, idetë dhe zgjedhjet e tij janë kudo të pranishme dhe me siguri do të peshojnë në çdo rezultat të Bashës, pra edhe në këtë protestë. Dhe protesta synon të optimizojë pozitën e PD-së në zgjedhjet e pritshme: në mos në arritjen e objektivit për qeveri teknike, të paktën në dhënien e garancive të ndryshme për ndershmëri të tyre. Apo edhe në shtyrjen e tyre, që mund të interpretohej si dobësi e qeverisë.
Në një situatë si kjo, Basha duhet të bëjë tranzicionin midis figurave politike të trashëguara prej Berishës dhe figurave të reja, prurje të tij. Prandaj, në këtë protestë po vihet re motivim i madh të deputetëve në prurje masive protestuesish nga qarqet që përfaqë- sojnë (unë solla kaq autobusë, por ky tjetri solli më pak autobusë), në akte vetësakrifikimi eventual, në retorikë luftarake etj. Gara për të hyrë në listë është e fortë midis të rinjve dhe të vjetërve. Basha nuk ua ka prerë shkurt të vjetërve se s’do të jenë në listë, por të rinjtë ngjajnë dhe ata të pasigurt. Në afërsi të liderëve janë shfaqur dhe gazetarë, por nuk dihet nëse kjo është prova e tyre e zjarrit në kostumin e ri politik, apo përpjekja për të krijuar idenë e një fronti më të gjerë se PD-ja, për të shporrur të urryerin Rama. Berisha me siguri do të vendosë vulën e fundit në listë, pasi të vlerësojë provat e gjithsecilit në planin e propagandës. Ka një pikëpyetje të madhe për përfshirjen e familjarëve të Berishës në këtë listë kandidatësh dhe qëndrimi në çadër prej tyre, pas thirrjes në Komisionin e CEZ, është njëlloj parathënie eventuale e kësaj përfshirjeje. Gjithçka normale.
Protesta në bulevard, në fakt, së bashku me gjithë sfidat e brendshme partiake, ngjan kështu edhe përpjekje për të afirmuar lidershipin e Bashës në prag të zgjedhjeve. A do të rezistojnë bateritë e tij dhe të opozitës deri në zgjedhje, apo ai do të karikohet pikërisht nëpërmjet protestës? Kjo mbetet për t’u parë. Ndërkohë, duket qartë se Basha i është larguar shumë modelit pajtues, konstruktiv dhe fitues, që i siguroi atij rezultatin më të mirë mes kandidatëve bashkiakë të PD-së kundër Ramës në Tiranë (Mustafai, Olldashi, Ngjela).
FTESA PËR LSI-NË
Është krejt e qartë se suksesi i kërkesës për një qeveri teknike varet më së shumti nga Ilir Meta dhe LSI-ja. Shpjegimi elokuent dhe superpragmatik i këtij të fundit se deri në çastin para zgjedhjeve do të rrijë në qeveri dhe do të iki prej partive të mëdha kur Rama ose Basha të fitojnë 71 deputetë, nuk e garanton përfshirjen e tij në protestë apo në objektivin e qeverisë teknike. Me siguri, LSI-ja fërkon duart për protestë si për çdo akt që dobëson Ramën dhe PS-në, por shkëputja tani prej qeverisjes do të ngjante aventurë e pasigurt, veçse shkelje e kontratës që Meta thotë se e ka plot 4 vjet. Në fakt, 4 vjet plotësohen në prill. Si palë në qeverinë politike PS-LSI, Meta, hëpërhë, nuk po mban qëndrime publike kundër protestës, i mikluar seriozisht nga ftesa që vijnë zëshëm vetëm prej partive të vogla që janë rreshtuar në bulevard, kryesisht ditën. Në qëndrimin e djeshëm, Meta tha diçka që ngjante më shumë e afërt me qëndrimin e Ramës: protesta është e ligjshme, por Reforma në Drejtësi do të vazhdojë. Meta, megjithatë, po e ndihmon protestën nëpërmjet letrave në frontin ndërkombëtar kundër Bordit Ndërkombëtar të Monitorimit, që në fakt s’është gjë tjetër veçse përfshirje e drejtpërdrejtë e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, më saktë akoma e kancelarive që ata përfaqësojnë, në procesin e vetingut të drejtësisë shqiptare.
SFIDA ME VETINGUN
Kërkesat e opozitës për garanci të zgjedhjeve janë të ligjshme, edhe sipas parimit “bëj si të them unë dhe mos bëj si kam bërë unë”. D.m.th., pavarësisht se Berisha dhe partia e tij nuk kanë rekorde të mira në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është në të drejtën e tyre të kërkojnë prej palës tjetër garancitë për zgjedhjet e ardhshme. Por koincidenca e protestës me fillimin real të procesit të vetingut, siç e ka përkufizuar ambasadorja Vlahutin, e komprometon këtë kërkesë të opozitës dhe sjelljen e saj. Bojkotimi eventual i Parlamentit është bllokim i pjesës tjetër të Reformës në Drejtësi, që është më shumë sesa ndryshimet e kushtetutës dhe ligjet e vetingut. Protesta e opozitës synon të bllokojë funksionimin e institucioneve të reja, të ndryshojë rendin e prioriteteve të institucioneve shqiptare etj., etj.
Institucionet që do të lindnin tani do të akuzoheshin si nën ndikimin e njërës palës etj., etj. Po pse opozita ka sfidë me vetingun? Sepse ky proces synon të shkatërrojë tërësisht kupolën e sistemit të drejtësisë dhe mënyrën mafioze të funksionimit të saj. Ky sistem ka qenë garanti i deritanishëm i grabitjeve që politika i ka bërë gjësë publike. Tashti s’mund të jetë më. Një prokuror i thjeshtë mund të arrestojë politikanin më të rëndësishëm të vendit. Skenari rumun mund të aplikohet në Shqipëri edhe për… arrestimet dhe jo veç për protestat.
QËLLIMET NDËRKOMBËTARE TË PROTESTËS
Bllokimi i bulevardit qendror të vendit nga ana e protestës, jo vetëm synon ta shndërrojë betejën e PD-së në ngjarjen kryesore të jetës së vendit, falë mediave, por edhe ta ndërkombëtarizojë atë. Protesta e bërë kështu synon të krijojë idenë e një krize të thellë në vend, e cila ka nevojë për ndërmjetësim ndërkombëtar. Pafuqia e opozitës për të arritur diç- ka nëpërmjet Parlamentit, ku qeveria ka shumicë dërmuese, e ka shndërruar bulevardin në arenën kryesore të të bërit politikë, por për këtë duhet patjetër ndërhyrja e ndërkombëtarëve. Dështimi i Ramës për të arritur objektiva përfundimtare nëpërmjet një proteste të ngjashme, parathotë diçka për suksesin eventual të PD-së. Roli i ndërkombëtarëve duket rol kyç, aq më shumë në pamundësi të përfshirjes së Metës në frontin opozitar. Hëpërhë si u duk nga qëndrimi i plotë i zëdhënëses së Komisionit, Koçijançiç, apo europarlamentarit Fleckenstein, shenjat nuk duken premtuese. Ndërkombëtarët lidhin protestën me Reformën në Drejtësi, kurse PDja nuk e zë me gojë, sikur ta zërë tartakuti. Ndërkohë, nuk dihet sesi ndërkombëtarët mund të imponojnë një qeveri teknike si garanci për zgjedhjet: nuk ka ndodhur diçka e ngjashme me krizën maqedonase që më në fund prodhoi një kryeministër, të cilit nuk ia dinë emrin prej një viti.
Me gjasë opozita do edhe shtyrjen e zgjedhjeve, diçka që u verifikua në Maqedoni. Por ama atje nisi të funksionojë Prokuroria Speciale, diçka e ngjashme me strukturat e reja të prokurorisë shqiptare, që opozita shqiptare në rol të kundërt me LSDM maqedonase nuk donte të krijoheshin. Karta e përfshirjes së qeverisë së PS-së në mbjelljen e kanabisit, tregtimin e tij, për të blerë zgjedhjet që janë 3 muaj larg në këtë moment, nuk duket mjaft për të imponuar krijimin e qeverisë teknike në Shqipëri. Për këtë arsye po përflitet skenari i radikalizimit. Se çfarë parashikon ai, nuk dihet. A do të kopjohet diçka nga jashtë, Rumania, Bullgaria, Maqedonia, apo thjesht përpjekja për bllokim edhe fizik të jetës institucionale mjafton? Basha s’mund të kopjojë paraardhësin e vet Berisha që ka sprova më të pasura sesa eksperienca rumune, bullgare apo maqedonase. I duhet fantazi (kopjimi i idesë së çadrës kuqezi në bulevard, nuk është fantazi origjinale). I duhet model i tij i udhëheqësisë. Që synon ta pagëzojë me protestën në bulevard, pa qenë horr bulevardi.