Ka filluar nisja e simpatizantëve të Partisë Demokratike nga rrethet, ku mijra qytetarë prtet të mbërrijnë në Tiranë për protestën e opozitës të paralajmëruar, e cila pritet të mbahet rreth orës 18:30.
Nisja e protestuesve është bërë nga qyteti i Vlorës, Berati, Lezha, Kukësi dhe Shkodëra.
Sipas kreut të PD-së Vlorë Genc Deromemaj, janë rreth 2000 mbështetës të opozitës që janë nisur dhe do të nisen drejt Tiranës, shifra këto të cilat përfshijnë edhe mbështetësit e Selenicës dhe Himarës.
Mirëpo, jo pa tensione ka kaluar nisja e protestuesve nga qytete të tjera të vendit, ku burime nga Berati bëjnë me dije se 4 persona të cilët po i drejtoheshin kryeqytetit për protestën e sotme janë shoqëruar nga policia. Personat e shoqëruar janë:
- Rudjan Vogëlush Sula
- Klajdi Mesut Sula
- Muhamet Refit Bisha
- Xhesjan Muqerem Xhelo, të cilët janë dërguar nga policia në Urën Vajgurore për verifikime të mëtejshme. Anëtarë dhe simpatizantë të PD-së nga qyteti i Beratit u nisën drejt protestës nga mjediset e jashtme të PD. Ndërkohë që nuk dihen cilat janë shkaqet e shoqërimit.
Tensione në nisje ka pasur edhe për protestuesit e nisur nga qyteti i Kukësit për shkak të postblloqeve të policisë dhe kontrolleve të shumta të bëra jo vetëm në autobus e furgona por edhe mjete private.
Nga Fieri nisja e protestuesve është bërë rreth orës 14:30 ku simpatizantët e PD-së, qytetarë e fermerë janë nisur nga pika të ndryshme të qytetit, por organizimi është bërë nga Partia Demokratike Dega Fier.
Në fjalën e tij Luan Baçi duke e konsideruar protestën që do të mbahet sot si një protest madhështore, nuk ka hezituar të denoncojë kontrollet e bëra ndaj banesave të banorëve të Peshtanit. Baçi po ashtu është shprehur se nuk ka zgjedhje pa PD-në dhe se edhe pse sot janë njohur me listën e kandidatëve, PD-ja ka misionin e saj.
Discussion about this post