Pas protestave të punonjësve të fabrikës së këpucëve në Shkodër, ka reaguar edhe famulltari i Shkodrës dom Artur Jaku.
Përmes një shkrimi me titull “Dinjiteti i punëtorëve dhe respektimi i të drejtave të tyre”, famulltari i del në mbrojtje punonjësve të cilët deklarojnë se ju janë mbajtur 20% e pagave.
“Kur institucionet përkatëse nuk e bëjnë punën e tyre, kur punëdhënësi nuk merr parasysh kërkesat e punëtorëve, atëherë e drejta për protestë dhe për grevë bëhet detyrë. Një apel i fortë shkon edhe për sindikatat e punëtorëve nëse ekzistojnë që të jenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të drejtave të punëtorëve. Ju kujtoj që duke ndjekur qëllimin e tyre specifik në shërbim të së mirës së përbashkët, janë faktor konstruktiv për rendin shoqëror.”, shkruan Jaku.
Kujtojmë se rreth 100 punonjës të një fabrike këpucësh në Shkodër kanë protestuar kundër pronarëve të tyre.
Shkak për këtë është bërë fakti se nga pagat mujore ju janë zbritur rreth 10-20% për shkak se nuk kishin përmbushur objektivat.
Ata thonë se kushtet e punës janë mizerabël dhe sikur të mos mjaftonte kjo ju mbahen dhe paratë e tyre nga pronarët.
Sakaq ata shprehen se nuk do të kthehen në ambjentet e punës sa kohë që nuk marrin mbrapsht paratë e tyre, që ju takojnë me të drejtë.
SHKRIMI I DOM ARTUR JAKU
Dinjiteti i punëtorëve dhe respektimi i të drejtave të tyre
Në një vend si Shqipëria ku hallet nuk kanë të sosur, duket se e keqja nuk ka prekur akoma fundin e saj. Ka vite që flitet për abuzime ndaj punëtorëve, duke filluar nga rrogat, te oraret e punës, e deri te kërcënimet me largim nga puna.
Rastet që janë bërë publike nga media së fundmi, janë vetëm abc-ja e një alfabeti të gjatë, që nuk dihet ku përfundon. Kodi i Punës përcakton përgjegjësitë e punëdhënësit, që nga përgjegjësia për të parandaluar aksidentet dhe sëmundjet profesionale, te përcaktimi i rregullave të sigurimit teknik, e deri tek punët që kryhen mes orës 19:00- deri në 22:00 që duhet të kenë pagë shtesë, pushimin javor, pushim në ditët e festave zyrtare ose shtesë page në masën mbi 25%, shtesë page për orët shtesë të punës, krijimin e lehtësive për gratë shtatzëna ose ato me fëmijë të vegjël.
Edhe kur një kompani shpall paaftësinë paguese, të parët që shlyhen janë punëmarrësit, pra Kodi përcakton që “detyrimet e punëdhënësit ndaj punëmarrësve kanë përparësi ndaj të gjitha detyrimeve të tjera”.
Madje, Neni 120 i Kodit të punës, thotë se “në rast të pagesës së pagës me vonesë, përqindja vjetore e interesit në rast vonese është jo më pak se 10 për qind e shumës së papaguar dhe në të gjitha rastet jo më pak se 150 për qind e inflacionit gjatë periudhës së vonesës”.
Në vendin tonë, po ju them, nuk jam fort i sigurtë nëse vetë shteti e respekton këtë kod, por privati, jo e jo. Në fushata elektorale, kam parë eksponentë politikë që vizitonin kompani e fabrika, për fat të keq nuk i shoh më në krah punëtorëve punëmarrës siç i pashë në krah të punëdhënësve sipërmarrës. Lind pyetja, pse? Ku janë ata sot, kur elektorati i tyre nëpërkëmbet? Ose, kur qytetarët e vendit nëpërkëmben? Pse nuk merren masa, ndër vite nuk merren masa për abuzuesit dhe deri kur?
Për të gjithë ato që kanë për detyrë të garantojnë zbatimin e ligjit dhe të mbrojnë të drejtat e njeriut, Doktrina Shoqërore e Kishës na kujton që “dinjiteti i personit njerëzor është trashendent por mbrohet edhe nga sistemi juridik”. Për një pagë të drejtë, të drejtën për pushim, të drejtën që të mbrohet personaliteti i tyre në vend të punës pa e dhunuar ndërgjegjën apo dinjitetin e tyre, të drejtën për pension, sëmundje etj.
Fatkeqësisht siç pohojnë dukuritë e trishtueshme të punës së nënpaguar, pa mbrojtje ligjore apo që nuk përfaqësohet si duhet aty ku merren vendimet. Katekizmi i Kishës Katolike në nr. 2434 thotë: “Paga e drejtë është fryti i ligjshem i punës” Ndërsa në Shkrimin Shejtë saktësisht në letrën drejtuar Jakobit thuhet “Ja! Paga që u hahet punëtorëve që u korrën arat, bërtet dhe – ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së Ushtrive”! (Jak 5,4). Prandaj bën një padrejtësi të madhe, ai që nuk pranon ta japë apo që nuk e jep atë në kohën e duhur dhe në përpjestim të drejtë me punën e bërë.
Kur institucionet përkatëse nuk e bëjnë punën e tyre, kur punëdhënësi nuk merr parasysh kërkesat e punëtorëve, atëherë e drejta për protestë dhe për grevë bëhet detyrë. Një apel i fortë shkon edhe për sindikatat e punëtorëve nëse ekzistojnë që të jenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të drejtave të punëtorëve. Ju kujtoj që duke ndjekur qëllimin e tyre specifik në shërbim të së mirës së përbashkët, janë faktor konstruktiv për rendin shoqëror. (D.D/Shuplaka)