Përmes një postimi në facebook, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet , ka reaguar për protestën e studentëve të cilët prej 10 ditësh kërkojnë nga qeveria plotësimin e kërkesës së tyre prej 8 pikash.
Në deklaratën e saj PDIU thotë se në dhjetor të 1990, studentëve iu deshën vetëm tre ditë për të rrëzuar regjimin më të egër komunist të kohës.
“Në mënyrë të ndërgjegjshme PDIU nuk votoi ligjin e arsimit të lartë, si një ligj klientelist, e që do sillte pasoja të pariparueshme në sistem. Studentët janë ende sot përpara godinës së kryeministrisë, në shi e në të ftohtë, duke i bërë nder çdo shqiptari ” – thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Në mbyllje të deklaratës saj, PDIU u bën apel të gjithë shqiptarëve që t’i ndihmojnë studentët të cilët janë shpresa e këtij vendi.
Deklarata e PDIU:
Dita e 10 e grevës së studentëve dhe ende nuk ka asnjë zgjidhje politike për ta. Tre ditë në dhjetor 1990 ju deshën studentëve për të përmbysur regjimin më të egër komunist të kohës. U bënë ditë që Kryeministri vazhdon me kokëfortësi lojën e kungulleshkave dhe refuzon të marrë përgjegjësitë që i takojnë.
Në mënyrë të ndërgjegjshme PDIU nuk votoi ligjin e arsimit të lartë, si një ligj klientelist, e që do sillte pasoja të pariparueshme në sistem.
Sot ne jemi përkrah studentëve të cilët i mësuan çdo qytetari të ketij vendi se për të drejtat luftohet pa kompromis.
Studentët janë ende sot përpara godinës së kryeministrisë, në shi e në të ftohtë, duke i bërë nder çdo shqiptari.
I bëjmë thirrje Edi Ramës, plotëso menjëherë kërkesat e tyre që dhe vetë i quan të drejta, e ktheje Universitetin në normalitet, shfuqizo ligjin e Arsimit të Lartë e ribëje atë me studentët e pedagogët, sepse përndryshe ky vend nuk do të ketë asnjëherë qetësi.
Ftojmë të gjithë përkrahësit tanë ti bashkohen studentëve e ti ndihmojnë si të munden, me praninë e tyre, ushqime e batanije. Ata janë femijët tanë dhe pjesa më e mirë e këtij vendi, e nuk mund të lihen kurrsesi vetëm, e as të munden nga arroganca e pandjeshmëria e një njeriu të vetëm, që ndersa u jep të drejtë studentëve, në vend që t’ju kërkoj falje, i mban në rrugë se duhet të takojnë Atë … shkaktarin e shkatërimit të dijes që aq shumë ka nevojë ky vend i drejtuar nga injorant, e dallkauke e të pa shkolluar. Ne jemi me ta! Të gjithë duhet ti ndihmojmë si një shpresë për këtë vend.
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post