Këshilltarët bashkiakë të opozitës kanë bojkotuar mbledhjen e radhës së këshillt Bashkiak të Tiranës dhe u janë bashkuar protestuesve të zonës së Astirit të cilëve do t’ju shemben ndërtesat në kuadër të projektit për Unazën e Madhe të Tiranës.
Në nisje të protestës foli Kreshnik Çollaku, kreu i këshilltarëve të djathtë i cili u shpreh se:
“Ne jemi një vendim të përbashkët, në mbështetje të kësaj proteste. Por sidomos për shkak të aktit dhe sjelljes së paprecedente që Veliaj fyeu qytetarët. Ne kemi një vendim të përbashkët për të bojkotuar mbledhjen. Fjala e tij është një lëpirje e asaj që tha. Më dinjitoze është që ai të kërkojë falje. Është e paprecedentë se si qeveria po i trajton këta njerëz. Këta të njerëz të dëmshpërblehen, nuk janë shpellarë, janë punëtorë. Me taksat e tyre u mbollën pemët, u ndërtuar shtëpinë. Sot jemi para një drame njerëzore, këto janë njerëz të nëpërkëmbur”.
Ndërkohë më parë grupi i këshilltarëve të LSI-së lëshoi dhe një deklaratë për shtyp ku theksohej se:
“Grupi i LSI duke mbeshtetur projektet madhore për zhvillimin e Tiranës, kërkon me vendosmëri që të dëmshpërblehet çdo sakrificë dhe shpenzim ekonomik për çdo banesë, duke respektuar të drejtat e qyetarëve dhe të pronës të garantuara nga Kushtetuta, ligjet dhe Konventat Europiane, si edhe të bëhen transparente dhe publike për qytetarët detajet e projektit të Unazës së Madhe”, thuhet në komunikatën për shtyp te këshilltarëve të këtij grupi.