Ka hyrë në ditën e pestë të saj protesta e opozitës, e cila nisi mesditën e 18 shkurtit, ku qindra mijëra qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit, iu bashkuan thirrjes së PD-së dhe partive të tjera opozitare për të protestuar kundër qeverisë me në krye Edi Ramën.
Po atë ditë u ngrit çadra e madhe, e cilësuar si “Çadra e Lirisë”, e cila vijon të strehojë protestuesit e vendosur, që mbështeten nga përfaqësuesit demokratë dhe jo vetëm.
Gjatë këtyre ditëve, në deklaratat e tij për mediat nga kjo çadër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se protesta do të vazhdojë aq sa të duan qytetarët, deri në rrëzimin e kryeministrit Rama dhe ngritjen e një qeverie teknike.
Një ditë më parë, Basha u shpreh i bindur se së shpejti kjo protestë do të intesifikohet. Ai takoi ditën e djeshme raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, të cilin e njohu me vendimin për qeveri teknike. (XH.A/SHUPLAKA)